LISI QË NUK SHKULET

Vitet e largëta 50. Verë. Kasneci trokiti në derënë derën e Litës, një burri fisnik. Trokiti tri herë. Lita kishte rënë në çardak të pushojë, pas punës së mundimshme. Herën e parë kur trokiti dera përtoi të çohet. Ishte i lodhur. Herën e dytë iu duk se trokiste ndonjë fëmijë. E kur trokiti herën e tretë tha: “Ngrou more Litë! Dhe doli. Kasneci u zverdh në fytyrë kur e pa Litën. E kishte vështirë t’i thotë se po vinte me një lajm të keq. Se Lita ishte një burrë i randë, ishte një njeri të cilin e respektonin të gjithë fshatarët. Lita ishte i urtë dhe trim. Të gjorit kasnec edhe frymëmarrja iu shpeshtua, edhe pështyma në gojë iu tha, edhe zemra nisi t’i rrahë më shpejt, edhe gjuha iu lidh.

“Fol o Xi, xhi je drunau kshau”? e pyeti Lita kasnecin.

“O Litë”… u mundua kasneci, por u ndje sikur buzët t’i kishte pasur të qepura. Nuk mundi ta vazhdojë fjalën.

“Fol o Xi!” përsëriti Lita. “Nuk ka krajs qameti çi ije marrë kshau”!

“Porezniki!”, tha kasneci. “Porezniki do vaje to ta bastajsje shpajnë”!

“Le t’vaje, o Xi. Xhi do marre?! Pjeshtat? Le t’i marre”! Kasneci u lehtësua nga fjalët e Litës, por edhe një rrymë krenarie ia përshkoi shtatin e tij të detyruar të jetojë  me “lepe, peqe”.

E shoqja e Litës, Zizja, një bukuroshe që sa po kishte shkelur në të tridhjetat, me sy të kaltër, buzë të mishta, qafë të gjatë, me gërshetat e gjata e shtegthin e flokëve të ndarë me kujdes, që ishte duke ujitur ulet pranë derës së madhe, e dëgjoi bisedën.

“O njeri?!” iu drejtua ajo të shoqit.

“Hajt, Zize, çlloj taj lulet”. Lita s’donte kurrë ta ngarkojë të shoqen me problemet e tij.

Zizja nuk e zgjati. Shkoi midis kumakëve e syzezave për të cilat kujdesej me përkushtim të veçantë, por megjithatë kërshëria nuk e lente të qetë. E mundonte droja sepse ajo e dinte se kur vjen kasneci të trokasë te dera, diçka e parëndomtë dhe jo e hairit duhet të pritet.

Lita shpejt e mbylli derën e madhe dhe i bëri zë të shoqes:

“Oj grue, hajde banma ni kafe se du t’dal terma”.

Zizja e hodhi shatin e vogël me të cilin i mbathte lulet me dhè dhe me një të ecur të sutës, do të kisha thënë, shpejt shkoi në shtëpi të zjarrit dhe kafja u bë. Por, pa e provuar kafenë Lita, dera sërish trokiti.
“Xhit t’nanës kanë kto sot”? tha Lita dhe shkoi ta hapë derën. Mund ta merrni me mend se çka pa ai jashtë? Jo? Po nuk është vështirë. Jashtë ishin tre milicë të armatosur me pistoleta dhe me shkopinj gome, kasneci dhe porezniku. Kjo situatë nuk ishte e papritur për atë kohë, por një situatë e tillë gjithmonë është e rëndë.

“Milicia”! bërtiti njëri. “Kemi urdhër të bastisim, në emër të popullit! Nuk e keni paguar porezin”! Dhe, pa pritur që Lita t’ua hapë derën, atanjëherë  i ranë me shqelm derës , pastaj  iu vërsulën Litës,  ia lidhën duart pabesisht që mos të bëjë rezistencë dhe u futën brenda në oborr.

Të kota ishin përpjekjet dhe kërkesat e Litës që ta lirojnë, e kotë ishte fjala e tij burrnore  se do ta paguante porezin si gjithmonë. Milicët u futën në oborr. Ndërkohë e shoqja e Litës, Zizja, mbeti e shtangur si një shtatore. Nga befasia e pakëndshme dhe nga frika. Dy milicë me poreznikun  së pari u futën në shtëpi, pasi e lidhën Litën për drurin e qershisë dhe e lanë njërin nga milicët, ta ruante. Ndërkohë njëri milic doli dhe e urdhëroi Zizen të shkonte me ta  t’u tregonte ku e kishte arkën në të cilën i ruante teshat e nusërisë. E ulën atë në një shkam dhe një nga dy milicët e mbante në shenjë që të mos lëvizte. Porezniku dhe milici i tretë kërkuan sa kërkuan nëpër qoshe, pastaj e hapën arkën e Zizes. Nxorën çdo gjë dhe i hodhën të gjitha midis dhome, dimitë, këmishët, fustanet. I nxorën edhe brekët dhe jelekët e grave të Zizes dhe më në fund shkuan dhe ia këputën edhe zinxhirin me pesëlirshin nga qafa. Pastaj e urdhëruan kasnecin t’ia lironte duart Zizes, kurse Litën e morën me vete bashkë me teshat e Zizes.

“Ec me ne! Nuk e ke paguar porezin!”i thanë edhe një herë Litës.

“Ku do ta çoni”? pyeti Zizja e frikësuar.

Ata e shikuan shtrembër pa i thënë gjë, kurse kasneci e mbante kryet lëvarur. Njëri nga milicët u kthye nga kolegu  i vet dhe pyeti duke e prishur heshtjen e rëndë që u shtri përreth për një çast:

“Çfarë thotë kjo bushtër”? Pastaj qeshi.

Zizja përsëri pyeti:

“Çfarë ju ka bërë im shoq”?

“Hesht, moj bushtër! E dimë ne se kush jeni ju, kështu që më mirë e ke ta rrudhësh gojën.
Për fat Lita nuk dëgjoi se Zizes së tij i thanë bushtër, se puna do të bëhej e madhe! Pastaj poreznik e milicë u larguan bashkë me Litën e lidhur  duke i lënë dyert e mëdha hapur e Zizen duke qarë.
Pastaj edhe një herë ra një heshtje varri. U dëgjua vetëm një gjinkallë, zëri i së cilës e ilustroi këtë heshtje me bezdi dhe me copa tmerri që i vinin Zizes në vesh në formë bubullimash.

Rrugës i bërtisnin Litës:

Ec more hajdar!

Emrin e kam Litë!

Krej njësoj… tha milici.

Unë jam Lita, më njohin që nga Kaçaniku e në Lumë e Mirditë, kurse ju jeni milicë,  s’dalloheni nga njëri-tjetri…

Të lidhur e ngrehnin Litën dy milicë, kurse ai rezistonte, po e kishte vështirë. sepse ata ishin dy, kurse ky vetë dhe i lidhur. Kur arritën te mejtepi i fshatit, aty ku e kishin vendin e torturave dhe të turpërimit të fshatarëve, menduan se e thyen Litën. Ndërkaq Lita i dha një të lëvizur të fuqishme krahëve dhe ashtu i lidhur siç ishte u hodh në tokë. Pastaj e ngriti kryet e nisi të flasë. Njëri milic deshi t’i bjerë me shqelm, t’ia thyejë dhëmbët, po tjetri s’e la. Lere, tha, ta shohim se çfarë do të lehë.

“Këto janë fjalët e fundit”, tha Lita, “që do t’i dëgjoni nga unë, para se të dal në gjyq për porezin. Refuzoj të them edhe të vetmen fjalë, sepse mendoj që veprimi juaj është kundër ligjit! Mund të më vrisni, por mos mendoni se do të nënshkruaj çfarë do dokumenti që do të ma jepni ju dhe nuk do të jap kurrfarë deklarate. Dhe, dëgjoni këtu… në mbetsha gjallë, do të bëj çmos që punët tuaja të dalin në shesh, e nëse më vrisni vdekja ime do të jetë dëshmitare e fortë që do t’i flasë popullit për krimet tuaja. Mos mendoni se me këto punë do t’ju shkojë juve kungulli gjithmonë përmbi ujë”. Dhe, derisa fliste Lita, fshatarët u mblodhën aty, thuajse dolën nga dheu si milingonat. “Dëgjoni”, tha Lita, “fytyrat tuaja ky popull që na rrethon do t’i mbajë në mend. Veçanërisht fytyrën e këtij poreznikut! Ju që bëni krime në emër të pushtetit nuk do të keni mundësi t’i vrisni të gjithë këta burra”.

Kur e panë turmën rreth vetes. porezniku dhe milicët lëshuan pe. Porezniku ia bëri me sy njërit milic me kujdes dhe ai e kuptoi se Lita duhej të lëshohej. Dhe, e lëshuan. Ndërkohë porezniku ia dha kasnecit teshat e Zizes.

Bëni udhë, bëni udhë, të kalojnë njerëzit, i tha dikush turmës. Dhe turma hapi rrugë. I pari doli Lita, të cilit të gjithë ia shtrinin dorën. Lita  u drejtua kah shtëpia. Pas tij shkoi kasneci me teshat e Zizes.

Porezniku mendonte: ku dreqin i paska mësuar ky dreq këto marifete të ligjit. S’i t’ia bëj kulaçin?…

Lita mendonte: e di ku e kanë qëllimin! Duan të më detyrojnë të shkoj të kërkoj vesika e të thyej qafën për Turqi, sepse pas meje do të vijë tërë fshati. Pastaj e preku bërrylin: ja që po shkoj atje, bëri. Jam lis që nuk shkulet!…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button