Historike: Majlinda ia sjell Kosovës medaljen e artë olimpike

Xhudistja Majlinda Kelmendi ia ka sjellë Kosovës medaljen e parë të artë olimpike.

Ajo ka triumfuar në kategorinë deri në 52 kilogramë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, pasi ka mposhtur në finale italianen Odette Giuffrida.

Kosova tani futet në mesin e shteteve që kanë fituar medalje nga këto lojëra olimpike.

Fitorja e Majlinda Kelmendit sonte në Rio, është padyshim kulmi i saj si sportiste. Me këtë ajo ka fituar gjithçka në sportin e xhudos.

Është fitore e madhe edhe për shtetin e ri, Kosovën që qysh në pjesëmarrjen e parë me të drejta të plota në një Olimpiadë shpërtheu me atë që e konsideron heroinë,

Por Kelmendi do të përfitojë edhe materialisht. Sa u përket shpërblimeve për medalje olimpike, Kosova futet në mesin e gjashtë shteteve të botës që paguajnë më së shumti për sukses në LO “Rio 2016”.

Shteti i Kosovës jep 100 mijë euro për medaljen e artë, 60 mijë euro për të argjendtën dhe 40 mijë euro për medaljen e bronztë. Me këto shpërblime, Kosova lë prapa shtetet e mëdha dhe të fuqishme financiarisht si SHBA-ja, Gjermania e Franca.

Kësaj shume do t’i shtohet edhe shpërblimi nga Rio.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button