Ligji për Këshillin e Prokurorëve Publik: Personat politik nuk mund të bëhen anëtarë të KPP-së
Anëtarët e Këshillit të prokurorëve publik (KPP) nuk guxojnë të jenë politikisht aktiv dhe të jenë pjesë e partisë – thotë ligji, njofton Alsat M.
Ky organ duhet të sigurojë pavarësinë e prokurorëve publikë në kryerjen e funksionit të tyre. Në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Këshillin e prokurorëve publik, anëtari i sapozgjedhur Arbër Isaku përveç që rregullisht ka paguar anëtarësinë partiake deri në vitit 2015, ka dhuruar 5 mijë euro në arkën e BDI-së. Në nenin tre të ligjit thuhet:
“(1) Ndalohet çdo lloj organizimi dhe veprimi politik në Këshill.
(2) Anëtarët e Këshillit gjatë kryerjes së funksioneve të Këshillit nuk guxojnë të realizojnë ndonjë aktivitet politik.
(3) Këshilli me punën e vet pamundëson çfarëdo ndikimi në prokurorinë publike në kundërshtim me ligjin.
(4) Funksioni, anëtar i zgjedhur i Këshillit, nuk përputhet me anëtarësimin në parti politike ose me kryerjen e ndonjë funksioni dhe profesioni tjetër publik”.
Arbër Isaku dy ditë më parë u zgjodh anëtar në Këshill me propozim të Kuvendit. Përvoja e vetme e tij në jurisprudencë është përkthyes në gjykatën Tetovës. Ka qenë këshilltar në Parlament dhe Qeveri. Në Nenin 32 të ligjit theksohen kritere të rrepta për anëtarët që i emëron parlamenti.
Ligji për Këshillin e Prokurorëve publik të RM-së
“Anëtarët e Këshillit që i zgjedh Kuvendi i RM-së, zgjidhen nga radhët e profesorëve të universitetit të juridikut, avokatë dhe juristë të tjerë të shquar”.
Për BDI-në, zgjedhja e Arbër Isakut nuk është e kontestueshme. Xhevat Ademi i cili është anëtar në komisionin Parlamentar për emërime, për Alsat shpjegoi se secili ka të drejtën e zgjedhjes politike, ndërsa donacioni i Isakut në arkën e BDI-së ka qenë plotësisht legjitim dhe në përputhje me ligjin.