Ndërtimet në Serovë të Shkupit, rrezik për banorët, investuesi hesht!
Në lagjen Serova të komunës së Çairit, gjegjësisht në vendin ku më parë ishte Higjiena Komunale kanë filluar ndërtimet për një objekt të ri, por të njëjtat nuk janë rrethuar me tel mbrojtës apo diçka të ngjashme. Banorët e kësaj lagjeje për Portalb.mk shprehin shqetësim për këtë gjë. Kjo tokë është në pronës të Myftinsë së Shkup ndërsa investitori në këtë tokë është kompania “Prince” e cila kategorikisht mohon të prononcohet.
Ata thonë se fëmijët tani në verë luajnë tërë kohën jashtë dhe këto gropa të hapura dhe të pa rrethuara paraqesin rrezik për ata.
“Lëre që nuk na ndërtuan ndonjë pjesë të gjelbër për fëmijët e lagjes, të cilët janë në numër të madh, ata edhe ndërtimet nuk i sigurojnë. Nuk e di kush është duke ndërtuar mirëpo ka hapur gropa të mëdha dhe nuk ka bërë rrethimin e tyre për siguri”, tha Tahir Hasani, banor i kësaj lagjeje.
Ai shtoi se tërë kohën u thonë fëmijëve që të mos shkojnë andej. “Ju kem thënë fëmijëve që të mos shkojnë andej, është rrezik po e dini si janë fëmijët, jo gjithmonë dëgjojnë. Në shtëpi nuk mund ti mbajmë mbyllur”, shtoi Hasani.
“Nuk e di si i japin leje komuna, na zunë frymën me ndërtime, është bërë kaos komunikacioni, s’kemi ku ti lëmë veturat, tani përveç mbeturinave që kundërmojnë në këtë pjesë, hapen edhe themele të cilat nuk mbulohen, mos e dhashë zoti të ndodh ndonjë fatkeqësi. Shpresojmë që investitorët apo vetë komuna të reagojë dhe të njëjtat të rrethohen me qëllim që mos të rrezikohet shëndeti apo edhe jeta e dikujt”, tha Artan Memeti, banor.
“Nuk kam koment, kjo është e tepërt. Asgjë s’është për tu habitur. Na shkatërruan lagjet me ndërtime gjigante, nuk di çfarë të them”, tha Mejreme Hasani, banore.
Nga komuna, udhëheqësi i sektorit për urbanizëm, Xhingis Hani ishte i pakapshëm per redaksinë Portalb.Kohë më parë ai tha se kjo tokë është pronë e BFI-së dhe se ata kanë projekt për ndërtim.
Nga BFI për Portalb thanë që kjo tokë është në pronës të Myftinsë së Shkup dhe pas një bisede me myftiun Rexhep Jusufi u zbulua se investitori në këtë tokë është Prince.
“Si është e mundur që punimet të mos rrethohen dhe sigurohen? Toka është në pronës tonën, mirëpo investitor është Princi, ata mbajnë përgjegjësinë për këtë gjë”, tha për Portalb, Jusufi.
Portalb gjithashtu kontaktoi edhe me firmën Prince e cila tani më ka rrjet supermarketesh dhe ndërtimesh në Maqedoni, por që nga ajo refuzuan të na sqarojnë këtë problematikë.
Portalb i sqaroi çdo detaj dhe ankesë zonjës apo zonjushës me të cilën kontaktoi duke gjetur numrin e kontaktit tek ueb faqja, mirëpo ajo lëre që refuzojë të tregojë emrin, gjithashtu vazhdonte te thoshte nuk kemi koment, duke ndërprerë edhe fjalën e gazetarit.
Asaj iu tha që gropa e hapura përbëjnë rrezik për familjet në afërsi, përgjigja e saj ishte që aty nuk po ndërtohet për momentin, kurse pyetjes se pse nuk janë rrethuar, vazhdonte t’i përgjigjej me ‘pa koment’.
Gjithashtu qytetarët u ankuan edhe tek OJQ Duam Çair të Pastër, duke dërguar fotografi të kësaj pjese në kohën kur kishte të reshura të shiut.