INTELEKTUALI PUBLIK (2)

Fjalia e fundit nga shkrimi ynë i kaluar ishte një pyetje lidhur me atë se ku gjendet disidenca intelektuale dhe komuniteti kritik ndër ne. Është fakt i pamohueshëm se guximi shkollar mungon te një pjesë e mirë e atyre që veten nuk e shohin në kategorinë e plebsit, plethosit, rajës dhe të punëtorëve manualë por si qark i dijetarisë, i vizionit eidetik, i inteligjenicisë (inteligentsia), i kontestimit të sipërfaqësisë perceptimore, i shmangies nga kultura e bisedave të çajit e espreso-makiatos dhe FB-postimeve. Për të pasur një grupim të tillë duhet kultivuar qark dhe rini me bagazh që promovon mendimin e lirë e të pavarur e jo atletë të grupimeve të interesit dhe të politikës ditore. Analizat thonë se tek ne  aktualisht kemi tre lloje të intelektualëve: (1) të mirëshkolluarit e sistemit të kaluar, të cilët atë diplomë që e kanë, e zotërojnë dhe janë të pajisur me dije e shkathtësi, të cilët janë në fundin e vjeshtës së karrierës së tyre, që sulmohen si “komunistë”, kuptohet me një minoritet edhe të të përkëdhelurve të regjimit që janë “rritur” artificialisht (2) elitarët e moshës së mesme – me disa përjashtime – që kanë mbetur diku në purgator, as andej e as këndej, që kanë dalë nga shkolla e pak-para-tranzicionit dhe tranzicionit, që kanë kryer shklolla gjatë vdekjes së Jugosllavisë dhe më pas, skajshmërisht të infiltruar në qarqet e makinerisë politike, që s’kanë mendim origjinal të vetin, që s’kanë zë të vetin, që janë shndërruar në autoparlantë partiakë, dhe (3) intelektualët e rinj që prapë ndahen në dy nënkategori, të përfshirit nga erërat e teorisë së mosarsimimit  (Konrad Paul Lisssman) dhe superpotenciali i pashfrytëzuar që është i paktë, i shkolluar këtu dhe jashtë, që janë kthyer ose gjenden jashtë që jetojnë mbi tel, që vetes ia shtrojnë pyetjen “Should I stay or should I go!”. Në këtë gjë u vërtetova edhe para do ditësh kur në një bisedë me një tru fisnik rinor që ka arritur t’i gjejë punë vetes dhe të themelojë një OJQ të fuqishme jo vetëm në kuadrin shqiptar të RM-së por edhe në nivel të gjithë shtetit, mes therash më tha se dita ditës është duke e humbur durimin në këtë mjedis ku mendimi ndryshe nuk çmohet, ku mediokriteti është fitimtar ndaj vlerave të mirëfillta. Nëse veç pak ndalemi të bëjmë një analizë empirike do konstatojmë se sa defetizëmmbjellëse janë politikat tona rreth krijimit të qarkut elitar autentik. Sa prej studentëve të vitit-gjeneratës janë promovuar shoqërisht nga institucionet, mediet dhe segmentet e ndryshme sociale? Sa prej tyre i kemi si analistë (hiq prej kësaj kategorie ad hoc analistët politikë pa asnjë analizë shkrimore që i gjen në ekran) ose asistentë, ligjërues nëpër katedra të ndryshme? Kemi pasur raste të të rinjve të diplomuar me 10.00 dhe me dy-tre gjuhë të huaja që s’u gjejmë dot nëpër institucuione, ku ata do të ushtronin profesionin e tyre dhe ku do të na e zbardhnin fytyrën si komb. Në vend të tyre i kemi të dëgjueshmit që mbahen nën pedalin e përshpejtimit (kupmlung). Dukuria e shprofesionalizimit të kuadrove të reja është shumë evidente. Një pjesë e tyre hidhen herë këndej e herë andej që më në fund të bëhen pjesë e valles së mesatarisë, për të përfunduar si “militantë të xhepit”. Dhe si rrjedhim i gjithë këtij kaosi të profilizimit të trurit, ndodh fenomeni i ikjes së kuadrove rinore jashtë vendit, që faktikisht nënkupton ofrimin në pjatë tjetrit atë që ke përgatitur për vetëveten. Dikush ndoshta do të kishte preferuar që fajin t’ia hedhë tjetrit, pra ideologjisë se nacionalizimit të shtetit dhe të institucioneve nga pala maqedonase, por kjo është shfajësimi më i kollajshëm dhe më i lirë. Gishtin duhet kthyer kah vetëvetja. Shikoni radhët e partisë pushtetare maqedonase dhe do të gjeni kuadro me CV të pasura, me gjuhë të huaja, figura të prura nga jashtë, ndërsa ne i humbim edhe ato që i kemi, i denigrojmë duke i “sistemuar”. Në momentin kur i sistemojmë i “kufizojmë dhe getoizojmë”, i stërvitim për “respekt ndaj kultit”.

Dhe tani të ndalemi dhe të shohim perspektivën e intelektualit publik, jo atë të facebook opinionizmit që e kemi me bollëk. Si komunitet duheshte që për këto 25 vite të bëjmë realitet qarkun e të dijshmive të vërtetë të proviniencave e botëkuptimeve të ndryshme që do të shprehnin idetë e tyre, që do të dialogonin lidhur me “të vërtetat” e tyre dhe që do bënin apologjinë e zërit intelektual kur ai vihet në shenjestër nga “shkollarët e Republikës së Boratit” që nuk kanë guximin të identifikohen në shkrimet e tyre, që paraqiten si të paemër nëpër editorialet e ndryshme dhe që shoshisin gjëra për të cilat s’kanë potencial as kompetencë. Aty ku hidhet guri e fshihet dora s’ka skenë për fërkim idesh, aty mund të ketë vetëm pehlivanllëk polemizues ballkanik. Nëse duam që të ndërtojmë agorën tonë të fertilitetit intelektual duhet që të mos lejojmë që të na karikaturizohen vlerat nga neobarbarët që duan gjithçka të kenë nën kontroll, edhe atë për një kohë të gjatë, një gjysëm jete. Ndërsa fertiliteti intelektual mund të arrihet vetëm nëse kuptohet fakti se virtytet janë të barabarta me dijen (Sokrati). Imagjinoni sikur të përmendnim emra intelektualësh të mirëfilltë në këtë shkrim se çfarë reagimesh do të kishte nga të vetëintelektualizuarit që mbrojnë kauzën, nga dubiozë intelektualët tanë. Unë në universitetetet që kam vizituar, nga Bolonja, Poatje, Roterdami, Barcelona e deri në Varshavë kam parë biblioteka të plota me njerëz. Shkollarët i kam parë me mure librash mbi tavolinë, në bibliotekë. E këtu tek ne? Pyesni bibliotekistët se a kanë të regjistruar ndonjë figurë publike, a kanë ndonjë kënd të veçantë ku vjen e punon me libra dikush nga fytyrat e mirënjohura? E si do të ketë atëherë kulturë polemizuese, etikë në mospajtime? Kjo është arsyeja pse vërejmë vetëm “grushta të ndaluar në bel” dhe shigjeta misterioze në vend të spirales së mendimit dhe të filozofimeve iluminizuese. Se sa të ngritur i kemi intelektualët tanë më mirë e ilustron pyetja që një kolegë ma shtron vazhdimisht: “A të qëndron dikush pas?” Për prononcimet, shkrimet dhe kolumnat publike e ka fjalën. I përgjigjem kantiançe: “Qielli me yje mbi mua dhe ligji moral në mua!” Aty ku mendohet me koncepte të trishtimit, të tribalizimit dhe hakmarrjes edhe në sferën e intelektualizmit s’ka bereqet as ardhmëri. O Zot, na jep, bukë e krypë, zemër, dhe guxim! Nuk e kam fjalën për disidencë per se, por për disidencë antikuazishenjtëri, për disidencë të mirëfilltë që di t’i hapë valvulat e mendimit, që di ta vë në lëvizje motorin intelektual. Jemi stërngopur me patriotizëm, duam intelektualizëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button