Kuvend, rebalanci i buxhetit përplas pushtetin dhe opozitën

Me akuza të ndërsjella në mes të pushtetit dhe opozitës ka filluar debati lidhur me propozim-rebalancin e buxhetit.

Me rebalancin e buxhetit parashikohet shkurtim të të ardhurave për 49 milionë euro dhe të shpenzimeve për 13 milionë euro. Deficiti buxhetor do të rritet për 36 milionë euro, investimet kapitale do të shkurtohen prej 412 në 367 milionë euro.

Ministri i Financave, Kirill Minovski, duke e elaboruar rebalancin, tha se menaxhimi i suksesshëm i financave publike mbetet prioritet, ndërsa për shkak të krizës politike, në vend të rritjes së paraparë prej 4%, do të ulet në 2.3%.

“Me këto ndryshime dhe plotësime në buxhet do të mbahet përcaktimi i ngarkesës së ulët tatimore pa ndryshimin e politikës tatimore dhe do të ketë rritje të lehtë të deficitit buxhetor, si rezultat i korrektimit të anës së të ardhurave dhe zmadhimin e shpenzimeve, kryesisht si rezultat i krisë politike dhe krizës së emigrantëve”,- deklaroi ministri i Financave, Kirill Minovski.

Por, nga opozita kërkojnë tërheqje të këtij rebalanc-buxheti. Ata si shkak e marrin huamarrjen e fundit të qeverisë, e cila sipas opozitës është bërë pa i respektuar procedurat ligjore. Ndërsa gjendjen ekonomike të Maqedonisë e kanë krahasuar me fundosjen e anijes “Titanik”, transmeton TVM2.

“Me huamarrjen e fundit, ju i nderuar ministër e lëshuat timonin e anijes derisa po lundronte dhe e sollët Maqedoninë në një skenar të rrezikshëm, që për një kohë të gjatë, vështirë se do të mund të lundrojë. Vetë procesin e lëshimit të euroobligacionit e ndjekin shumë parregullsi në aspektin e asaj se a i keni respektuar procedurat ligjore apo jo. A keni marrë mendim nga Ministria e Drejtësisë për lëshimin e euroobligacionit? Ministri i Drejtësisë dje ka deklaruar se nuk ka dhënë asnjë mendim lidhur me këtë çështje”,- tha Marijanço Nikollovsi nga LSDM.

Por, nga VMRO-DPMNE akuzave të këtilla iu përgjigjën duke thënë se LSDM-ja është e vetmja fajtore për pasojat negative mbi ekonominë e Maqedonisë.

“Të gjitha pasojat negative që po ndodhin në ekonominë e Maqedonisë gjatë këtyre dy viteve janë si meritë e juaja, e LSDM-së. Lërmëni të shpjegohem edhe un si ju me “Titanikun”! Ju jeni një grup, i cili ka hyrë në kabinën ku duhet të udhëheq anijen në drejtimin e duhur, i keni okupuar njerëzit dhe anijen me qëllim e keni futur kah akulli, pastaj të parët keni dalë, duke mos iu interesuar për udhëtarët e anijes”,- theksoi Krste Mukovski nga VMRO-DPMNE.

Ky rishikim i buxhetit është diskriminimi i radhës që po i bëhet shqiptarëve, akuzuan nga PDSh, pasi që sipas partisë opozitare shqiptare nuk janë paraparë mjete për pjesën shqiptare.

“Zero denarë janë paraparë për ujësjellësin në lagjen Vizbeg, zero denarë për universitetin “Nënë Tereza”, me të cilin po mburren kohës së fundit, nuk është fare si pozicion buxhetor as ITShKSh dhe vetëm 2 milionë denarë janë paraparë për muzeun e alfabetit të Manastirit, me siguri këto 2 milionë denarë janë paraparë për atë shitoren me pllaka aty tek muzeu, e jo vetëm për muzeun”,- u shpreh Bekim Fazliu nga PDSh.

Debati mbi propozim-rebalancin e buxhetit duhet të zgjasë më së shumti pesë ditë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button