Anshmëria nuk e mbështet gazetarinë, por e rreshton në propagandë

[Recension: “Ahmeti nuk i jep mbështetje Erdoganit, rreshtohet në krah të Gylenit”]

Është e thjeshtë të vërehet një shkrim tendencioz. Shpeshherë për shkak të asaj se përmbajtja e tij e përgënjeshtron ose nuk e vërteton aspak titullin. Teksti që recenzojmë është i tillë. Përmbajtja nuk sjell argumente të fuqishme për të mbajtur që të mos bjerë në ujë pretendimi në titull.

Shenja - Ahmeti nuk i jep mbeshtetje Erdoganit, rreshtohet ne krah te Gylenit 1Linku deri te artikulli origjinal: “Ahmeti nuk i jep mbështetje Erdoganit, rreshtohet në krah të Gylenit”

Data e publikimit: 20.07.2016

Data e recensionit: 25.07.2016

Recensues: Fatlume Dervishi

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti nuk paska reaguar për tentimin për grushtshtet në Turqi, të ndodhur ditë më parë. Kjo është vënë re prej disa mediave, e një pjesë e tyre kanë vendosur që për këtë ta sulmojnë Ahmetin për mosreagimin e tij. Si e para, kjo nuk mban, sepse lind pyetja – sa është e udhës që të pyetet BDI se pse nuk ka reaguar lidhur me këtë ndodhi? Ngjarjet në Turqi nuk kishin lidhje me Maqedoninë, nuk kishin lidhje me votuesit e Maqedonisë, nuk ishin të implikuar shqiptarë që jetojnë në Turqi dhe, tek e fundit, Ahmeti nuk është as president, homolog i Erdoganit, as ministër për punë të jashtme, e as ndonjë faktor i tipit lider i ndonjë fuqie botërore, për ta thënë publikisht se cilës pale i jep mbështetje. Ai ndoshta edhe mund të prononcohej me qëndrim, për këtë për t’u bërë pjesë e “grupit” të mbështetësve ose kundërshtarëve të Erdoganit dhe mënyrës me të cilën u adresua grushtshteti, sidomos duke pasur parasysh interesimin e qytetarëve shqiptarë për ngjarjet në Turqi, por asgjë nuk e obligon as formalisht e as moralisht për këtë.

“Derisa edhe vetë presidenti i Maqedonisë, Gjorgji Ivanov e mbështeti presidentin Erdogan në këto zhvillime, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim BDI e as nga lideri i saj, gjë që çon të dyshosh në vërtetësinë e akuzave që bëhen në adresë të partisë emri i së cilës kohëve të fundit ka filluar të rimohet/ndërlidhet me Rusinë. Apo, mbase BDI është në anën e puçistëve, përkatësisht “gylenistëve”.”

Mirëpo, sipas këtij teksti duket se nuk është kështu. Kjo mungesë reagimi i interpretohet lexuesit si tregues për “ndërlidhjen” e partisë së Ahmetit me Rusinë. Ose, skenari tjetër i mundshëm, sipas përmbajtjes, është anshmëria e Ahmetit pro “gylenistëve” (një pjese të opozitarëve në Turqi). Për të mos treguar anshmëri dhe për të qenë më e kuptueshme për lexuesit, në sfond është dashur të sqarohet se pse “rreshtimi” i supozuar i Ahmetit me Gylenin do të ishte një gjë negative, ashtu si interpretohet në këtë përmbajtje. Tendencë vërehet edhe në përzgjedhjen e fotografisë për ilustrim të Gylenit, ku ai shihet duke fjetur. Para se të hedhë akuza të këtilla, sidomos në përfshirjen e Rusisë në storje, autori do të ishte mirë të kontaktonte BDI-në dhe liderin e saj, të paktën të largonte dyshimet fillimisht nga vetja dhe për të plotësuar tekstin, që në këtë rast nuk është lajm, sepse me këto mangësi ai nuk i përmbush standartet profesionale të caktuara me Kodin Etik të Gazetarëve të Maqedonisë.

  • Provimi i të dhënave dhe saktësia janë imperativ moral i gazetarësisë, prandaj gazetari është i obliguar ta provojë informacionin prej sa më shumë burimeve, të paktën prej dy burimeve të pavarura.
  • Gazetari duhet të sigurojë “palën e dytë”, respektivisht t’u jep mundësi të dy palëve të interesuara të produktit gazetaresk ta shprehin qëndrimin e tyre. Kjo edhe më tepër vie në shprehje kur gazetari shpreh dyshime ose akuza ose kur dikush është objekt i sulmit apo kritikës.
  • Nëse gazetari vlerëson se informacioni i paprovuar është me interes publik, është i obliguar ta publikojë, por duke saktësuar se bëhet fjalë për informacion të pakonfirmuar.

Teksti origjinal është i portalit sakte.net dhe mban titullin që është dyfish më tendencioz – “Strukturat e Fethulla Gylenit në Maqedoni e mbështesin tërësisht Ali Ahmetin dhe BDI-në”. Me përjashtim të titullit, teksti është marrë i plotë nga sakte.net dhe është cituar burimi.


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button