Nuk është e lehtë të jesh shqiptar këto ditë

Derisa e priste kafenë e mëngjesit t’ia sillte e bija e tij, ai e shfletonte një gazetë beogradase. Pastaj u ndal. Me gazetën e hapur në të dy duart. I bëri përshtypje një titull: “Nuk është lehtë të jesh serb këto ditë”. Këtë floskulë e kishte ndër kujtimet e hidhura të tij që mbeten si vulë që e   kishte marrë kur po kthehej nga burgu i Goli Otokut shumë vite më parë. Ja si rrodhi puna e këtij kujtimi:

Shikonte nga dritarja e kupesë së zbrazët të trenit që vinte nga Zagrebi e po i afrohej Beogradit. Rrafshina e pafundme e Sllavonisë dhe e Vojvodinës ia ngjallnin kuptimin e lirisë të cilin thuajse e kishte harruar në burgun famëkeq të Goli Otokut ku i kishte kaluar pesëmbëdhjetë vjet të plota. Në këtë erë lirie që vinte nga pafundësia e blerimit ndjehej se nuk ishte ai. E prekte veten në fytyrë, në qafë. E prekte edhe kokën. Pastaj u ngrit  e shikoi veten në pasqyrë, jo për ta parë a i ka flokët e krehur mirë, por për t’u vërtetuar a është ai, Moni, i biri i Cufë Parcës i cili po kthehet nga ferri  me tren drejt jugut, kah Tetova e tij e dashur, kah liria. I pa flokët që i ishin zbardhur, i pa edhe rrudhat që ishin paluar njëra mbi tjetrën në fytyrën e tij, por nuk ia vari asaj pune. Me rëndësi ishte se e pa veten që kishte dalë nga ai ishull i mallkuar pesëmbëdhjetë vjet pa e parë shtëpinë e tij të lindjes, fëmijët e tij, dy vajzat e tij që s’i kishte parë si rriten. Ja që arriti edhe ky çast. Ishte kjo një ditë e veçantë, një ditë që s’përshkruhet nga gëzimi dhe ndjenja e kohës që nuk ecën.

Treni për një çast u ndal. Drurët që pak më parë krijonin përshtypjen se iknin fluturimthi kur shikonte Moni nga dritarja e trenit i cili ngutej tash u bënë drurë të palëvizshëm, që me hijet e tyre bënin lara me copa drite në kupe të trenit, ku Moni ishte vetëm. Moni u ngrit në këmbë të shikojë se ku ishte ndalur treni, a ishte në stacion apo ishte ndalur për shkaqe teknike. Sa e hapi dritaren, dëgjoi zhurmë bisedash të njerëzve që me valixhe e pa to, u drejtuan të hipin në tren. Ai nuk e pa emrin e qytetit që zakonisht shkruhet në hyrje të stacionit, pasi vagoni i tij ishte larg hyrjes. Moni i shikoi si nguteshin njerëzit. Pastaj zëri i bisedave u fut në korridorin e vagonit. E pa edhe një formë të lirisë. Dhe, tashmë njerëzit u gjetën para kupesë së tij.

“A është lirë”? e pyeti një njeri me shajkaçë dhe me një valixhe të madhe, një njeri i moshuar. Ai nuk priti ndonjë përgjigje nga Moni, por më së pari e futi valixhen, hyri pas saj, pastaj u mundua ta çojë në raft. Moni u afrua e i ndihmoi. Sa e rehatuan valixhen, njeriu me shajkaçë mbi kokë, tha, i zënë në frymë:

“E vëllaçko, nuk është lehtë të jesh serb këto ditë”!

Përvoja e hidhur e kaluar në burg nuk e lejoi Monin që ta thotë ndonjë fjalë, ndonëse nuk i pëlqeu pse ai me shajkaçë tha kështu. Këtë fjali e kishte dëgjuar  në Goli Otok nga gardianët. Ata shpeshherë thoshin: “Nuk është lehtë të jesh serb këto ditë”. Moni në një rast u kishte thënë:

“Pse të tjerët e paskan shumë lehtë”!

Por këtë pyetje e pagoi shtrenjtë. E rrahën deri në alivani, sepse e kishin pritur një përgjigje të Monit që ta cilësojnë si provokim. Edhe tash i erdhi  t’ia thotë këto fjalë këtij plaku që u fut në kabinën e tij. Po nuk tha gjë. Nuk tha, por ato fjalë të plakut ia zbuluan një realitet, një psikologji, e cila ushqehej nga pushteti i atëhershëm për t’i paraqitur serbët si viktimë, e që forcohej gjithandej, në të gjitha shtresat e në të gjitha profesionet që ushtronin njerëzit e asaj etnie.

Moni u ul. E ktheu kokën kah dritarja dhe mundohej ta paramendojë fytyrën e gruas së tij kur ajo do ta shihte duke hyrë në dyert e mëdha, buzëqeshjen e ëmbël të shoqëruar me lot gëzimi. Mundohej t’i imagjinojë vajzat. Ato kurrsesi s’ia jepte imagjinata të mëdha, por i dilnin ashtu të imta siç i kishte lënë kur e kishin marrë duarlidhur para shumë viteve. I vinin në imagjinatë si vajza të vogla të cilat e shikonin babanë e tyre me një mosbesim të dukshëm, njësoj sikur shikohet me sytë e fëmijës një mysafir i cili vjen për herë të parë në shtëpi.

Bredhjet e tij nëpër imagjinatë i ndërprenë edhe disa gra të cilat hynë në kupe pa pyetur fare. Sigurisht do të kenë menduar se s’ka nevojë të pyetet,  meqë treni po ecte e vendet në kupe ishin të lira.

Njëherë, pak çaste të gjithë heshtën. Moni vazhdonte të shikojë kah dritarja nga e cila drurët filluan “të ikin” me shpejtësi prapa trenit i cili çante përpara, kurse njeriu me shajkaçë në kokë e nxori një shishe me raki, ia hoqi tapën dhe ia ofroi Monit. Era e rëndë e rakisë së kumbullës e mbushi kupenë. Moni e refuzoi.

“Faleminderit”! tha. “Nuk pi”.

“Mos je shqiptar, që nuk pi”? pyeti njeriu me shajkaçë. Të gjithë qeshën.

Dajaku në burg për shkak të kësaj fjalie, e përsëritur këtu prej plakut me shajkaçë dhe fyerja “mos je shqiptar, që nuk pi”?, u bënë  shumë. Megjithatë Moni u përmbajt. Përvoja nuk e lejonte të reagonte për këto fyerje. Ku mund ta dinte ai se kush është njeriu dhe kush janë gratë. Për bela, ndonjërin mund ta kenë futur aty që ta provokojë.

Ndjenja e hidhëtisë që e pushtoi nuk ishte e lehtë. Por ai duhet të arrinte te vajzat e tij të dashura. Nuk guxonte t’i lejojë vetes që një gabim i vogël t’ia mbyllte përsëri dyert e lirisë e të kthehej në Goli Otok ku kishte qenë vetëm pse kishte recituar disa vargje të Fishtës.

E bija që i solli kafetë, ia ndërpreu fijen e kujtimeve. E rrufiti një herë kafenë dhe përsëri e mori gazetën. E pa titullin: “Nuk është lehtë të jesh serb këto ditë”. Pas kaq vitesh ky refren i përhimë po përçapej ende nëpër media. Monit i kërceu damari:

“E po çka po doni! mendoi. “Njëqind vjet e keni pasur bahçe tërë hapësirën e Jugosllavisë.  Në kohë të Titos i kontrollonit policinë, burgjet, mediat, gjyqet, doganat, hekurudhat, shëndetësinë, arsimin, ekonominë, e s’ju ka mjaftuar. Vazhdimisht keni thënë: ‘Nuk është lehtë të jesh serb këto ditë’! Edhe tash thoni njësoj, ndonëse qeveria juaj bën çfarë do në Bosnje, bën çfarë t’i dojë pika e qejfit në Kosovë, vjen edhe këtu në Maqedoni dhe përpiqet të bëjë sherre. Ndërkaq, njëqind vjet na keni fyer e na fyeni edhe sot. Dhe, na akuzoni për gjithçka… Derisa ju keni një qeveri që i drejton të gjithë serbët kah janë e kah s’janë, ne kemi një varg qeverish e koalicionesh  të cilat i kanë ngatërruar kuptimet qeveri, pushtet e parti. Derisa ju i siguroni serbët nën pullazin e qeverisë serbe, politikëbërësit tonë na lodhën me floskulën: ardhmëria jonë është në Evropë. E ju, ju e siguruat ardhmërinë tuaj edhe në viset tona, duke e bërë një pushtet ku pakica juaj praktikisht na sundon në Kosovë, kurse këtu në Maqedoni… Jo, jo… Shumë lehtë qenka të jesh serb. Po vështirë qenka të jesh shqiptar”…  E mbështeti ballin në dorën e djathtë me bërryl në gjunjë dhe mbeti gjatë kohë ashtu.
“Baba”! i tha e bija e tij, e vogla, që tashmë kishte mbaruar fakultetin, duke e larguar nga mendimet. “T’u ftoh kafeja”.
Moni e grisi gazetën. U ngrit, e hodhi në mbeturina dhe u ul ta pijë kafenë e mëngjesit me të bijën.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button