Yildirim: Ndajmë dhimbjen me popullin francez

Kryeministri i Turqisë Binali Yildirim dënoi sulmin terrorist në Francë dhe tha se populli turk ndan dhimbjen me popullin francez, raporton Anadolu Agency (AA).

“Populli turk ndan dhimbjen me popullin francez nga sulmi terrorist. Edhe një herë dua të shprehem se do të jemi në dispozicion për bashkëpunim me qeverinë franceze në luftën kudër terrorit dhe të gatshëm të japim çdo lloj ndihme dhe mbështetjeje”, deklaroi Yildirim për mediat pas faljes së namazit të xhumasë në xhaminë Mimar Sinan në Atashehir.

Ai tha se Turqia, si vend i cili lufton kundër terrorit prej vitesh, përdor shprehjen “Terrorizmi nuk ka fe, besim, komb dhe njerëzi”.

“Terrorizmi ka vetëm një gjë: të vrasë – t’i vrasë njerëzit, t’i frikësojë dhe ta prishë paqen, vëllazërinë dhe qetësinë në vende të ndryshme. Bota edhe njëherë duhet ta dijë se dallimet që bëhen në luftën kundër terrorizmit, pra konsiderimi i disa organizatave terroriste si më pak mëkatare dhe i disa të tjerave si të pafajshme, janë gabime të mëdha. Këto dallime bëhen prej vitesh, e veçanërisht në shtetet e zhvilluara. Standardet e dyfishta ndaj terrorizmit çdo ditë po japin rezultate të dhimbshme”, tha kryeministri turk.

Yildirim tha se solidarizohet njëjtë si për sulmin terrorist në Stamboll ashtu edhe për atë në Francë.

“Ashtu sikurse bota u bashkua dhe u bë një zemër e vetme për ta dënuar sulmin në Stamboll, sot pas ngjarjeve në Nicë ajo edhe një herë po e tregon vendosmërinë e njëjtë për ta vazhduar luftën me një zemër dhe një zë dhe për t’u solidarizuar. Për të tejkaluar terrorizmin që mund të ndodh si në rajonin tonë, ashtu edhe në cilin do cep të botës, shumë shtete në krye me Kombet e Bashkuara duhet të jenë në bashkëpunim më intensiv. E dimë se bashkëpunimi i inteligjencave si dhe në ndarjen e informacioneve dhe masat e sigurisë, është i një rëndësie jetike për t’i dhënë fund terrorizmit global”, theksoi Yildirim.

Ai potencoi se me vendimin e marrë sot në mbledhjen e NATO-s të gjitha vendet anëtare do t’i ulin në gjysmështizë flamujt. Sipas tij, Turqia e ka ulur në gjysmështizë flamurin e saj në NATO në shenjë solidarizimi me Francën pas sulmit terrorist. Ai po ashtu rikujtoi se të gjitha vendet e NATO-s bënë të njëjtën gjë pas sulmit në Aeroportin Ataturk të Stambollit.

Më tej, Yildirim i shprehu ngushëllime popullit francez.

– “Duhet ta gjejmë hallkën më të fortë të terrorizmit dhe ta rikthejmë sigurinë”

Ndërkaq, një gazetar kryeministrit Yildirim i parashtroi pyetjen: “Franca festën për Ditën Kombëtare në Stamboll, megjithatë, sulmi u realizua në Nicë. A ishte kjo huqje e caqeve? A ka marrë shërbimi ynë sekret informacione se një gjë e tillë mund të ndodhte në Stamboll?”.

Lidhur me këtë pyetje kryeministri turk tha se Stambolli është njëri nga qendrat i cili synohet nga terrorizmi. Ai tha se për për këtë arsye, Prefektura e Stambollit, Drejtoria e Sigurisë dhe të gjitha njësitet e tjera të sigurisë po vazhdojnë t’i marrin masat më të larta të sigurisë kundër terrorizmit dhe sulmeve terroriste.

“Natyrisht që masat duhet marrë në nivelin më të lartë, por siç e shihni, edhe pse nuk duam, kohë pas kohë po ndodhin ngjarje terroriste edhe përkundër të gjitha masave. Ju kam thënë edhe më herët, nuk dihet se kë, ku dhe kur godet terrorizmi. Terrorizmi e shfaqi edhe njëherë veten në zemër të Francës. Për këtë arsye, nuk ka kuptim të thuhet se ‘Filan vendi është i sigurt’ e ‘Filan vendi nuk është i sigurt’. Çdo vend ka shkallën e njëjtë të sigurisë, çdo vend përballet me rrezikun e njëjtë nga terrorizmi. Ne duhet ta shohim këtë dukuri nga ky këndvështrim dhe të gjejmë hallkën më të fortë të zinxhirit të terrorizmit dhe ta rikthejmë sigurinë. Rrjedhimisht, përfundimi i jostabilitetit në Siri dhe Irak sa më parë do të thotë përfundim të terrorizmit në kuptimin e plotë të fjalës”, tha Yildirim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button