Kryeministri Mustafa vuri gurthemelin e ndërtimit të Klinikës Emergjente në Prishtinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka vënë gurthemelin e ndërtimit të objektit të ri të Klinikës Emergjente në Prishtinë, duke vlerësuar se kjo klinikë pritet të plotësojë nevojat e qytetarëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj.

Në një njoftim nga zyra e Kryeministrit thuhet se Kryeministri Mustafa ka theksuar se kjo do të jetë klinika e parë emergjente, e cila do të jetë me kapacitete shumë të mëdha dhe e ideuar në mënyrën më moderne për t’i plotësuar nevojat e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Është investim i madh, mbi 8 milionë euro që planifikohet të përfundojë brenda tre viteve dhe një shpresë e madhe se qytetarëve të Kosovës do t’iu ofrohen shërbime cilësore dhe shërbime të nivelit evropian shëndetësor”, u shpreh Mustafa.

Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për t’i dhënë prioritet shëndetësisë. “Është një prioritet shumë i lartë që në të ardhmen të punojmë bashkërisht në mënyrë që të përmirësojmë infrastrukturën jo vetëm të objekteve, por edhe pozitën e punonjësve të shëndetësisë si dhe pozitën shëndetësore të qytetarëve tanë”, tha Mustafa.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Rrahmani tha se shërbimet e kësaj klinike do të plotësojnë deficitin infrastrukturor që ka Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.

“Zhvillimi i emergjencës dhe shërbimeve emergjente në Kosovë është një domosdoshmëri dhe m’u për këtë së bashku edhe me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale po punojmë në finalizimin e Ligjit për Emergjencë, i cili ka pësuar disa ndryshime thelbësore dhe do të fokusoj zhvillimin e shërbimeve emergjente para spitalore”, u shpreh ministri Rrahmani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button