Eprori dhe 5 të dyshuarit e njësitit special “Alfa” merren në pyetje për rastin “Tortura”
Eprori i njësitit special të Ministrisë së Punëve të brendshme “Alfa”, Ivica Anetvski – Puki, bashkë me pesë policë të këtij njësiti, sot do të duhet të merren në pyetje për rastin e Prokurorisë Speciale Publike të ashtuquajtur “Tortura”, njofton Portalb.
Rikujtojmë se javën e kaluar është anuluar marrja në pyetje e të dyshuarve pasi që ata kanë kërkuar kohë për rishikimin e dëshmive nga lënda, deklarojnë nga Gjykata Penale.
Gjykatësi në procedurë paraprake, në pajtueshmëri me prokurorin e PSP-së dhe të avokatëve të akuzuarve, të cilët kanë qenë të pranishëm në procesin e marrjes në pyetje e kanë shtyrë për sot.
Nga gjithsej gjashtë të dyshuar, përpara gjykatësit në procedurë paraprake, javën e kaluar, kanë qenë prezent tre persona, të cilët kanë hyrë dhe kanë dalë nga dyert e pasme të Gjykatës, transmeton Portalb.
“Tortura” ka të bëj me mënyrën e arrestimit të kryetarit të partisë, “Të Bashkuar për Maqedoninë”, Lube Boshkovski, që sipas Prokurorisë Speciale, ish-drejtori i DSK-së ka urdhëruar njësitin special “Alfa” që gjatë aktit të arrestimit të përdorë dhunë fizike dhe psikike, transmeton Portalb.
Më 28 mars, prokurorja ndihmëse e Katica Janevës, Fatime Fetai, njoftoi se përfaqësuesit e njësitit special “Alfa” gjatë arrestimit, Boshkovskin e kanë sharë dhe i kanë shkaktuar dhimbje shpirtërore.
“Njësiti ka përdor dhunë fizike dhe psikike ndaj Lube Boshkovskit, si dhe njëkohësisht ndaj personit në fjalë janë përdorur edhe fjalë të pista, gjegjësisht e kanë sharë”, tha prokurorja speciale, Fatime Fetai
Në bazë të dëshmive për shkelje të të drejtave të njeriut, PSP ka ngritur procedurë hetimore për 7 persona, në mesin e të cilëve si i dyshuari i parë është ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov dhe si i dyshuari i dytë ish eprori i njësitit special “Alfa”, Ivica Ançevski – Puki. /Portalb