SHËNIME NGA ZVICRA (V)

HERMAN HESSE. Në një skaj tjetër të bibliotekës së kështjellës në Lucern  janë disa libra të Herman Hesse-së (1877-1962), shkrimtarit të adhuruar edhe në kohën tonë, autorit të veprave: “Ujku i stepës”, “Demiani”, “Sidharta” etj.  Disa herë kam shkruar për krijimtarinë e tij. Ishte koha kur përjetoja pothuajse krizat e Hari Halerit dhe librat e Hesse-së më shërbenin si njëfarë terapie. Ishte koha kur më joshnin librat e psikanalistëve: Frojd, From, Jung, që kishin ndikuar fuqishëm në letërsinë e shekullit njëzet, ndonëse shumë herë teoritë  e tyre kontestoheshin. Më joshte edhe jeta e Hesse – së. Jetë e trazuar. Isha i mbyllur sikurse ai. Lexoja atë që adhuroja dhe jo atë që më imponohej në katedra. Shkruaja dhe asgjë nuk pëlqeja. Dyshoja në aftësitë e mia prej letrari. Një pasiguri që ende më shoqëron.

Hesse është njëri nga shkrimtarët më të lexuar në kohën tonë, por vepra e tij nuk e kishte përjetuar lexueshmërinë (receptimin) e njëjtë edhe në kohën kur u botua. Ajo nisi që të afirmohej në vitet 60-të të shekullit 20-të. Receptimi i tanishëm i veprës së Hesse – së, nga miliona lexues, konsiderohet si fenomen jo vetëm letrar, por edhe sociologjik. Mbase ky receptim vjen nga shkaku se veprat e tij trajtojnë probleme universale dhe janë të orientuara drejt qenies njerëzore. Na zbulojnë shumëçka që ndodh me secilin prej nesh dhe na shpërfaqen me një thjeshtësi të paimagjinueshme.

Në krijimtarinë e Hesse-së dominojnë tema të shumta: raporti i individit me pushtetin, artisti përballë qytetarit, krijuesi përballë talentit të tij, analizë e krizës së vetëdijes, kërkimi i identitetit personal.

Hese është shkrimtar humanist dhe paqësor. Ende pa filluar Lufta e Dytë Botërore i kishte parë   mjegullat e absurdit se si e mbështjellin mendjen njerëzore. E ndjeu se bota po shkonte drejt rënies së paimagjinueshme morale. Në kohën e thirrjeve militariste, ai është paqësori. Kolegët e kanë braktisur. Të dehur nga shovinizmi e kanë shpallur tradhtar të atdheut. Janë të paktë që e përkrahin, por ai nuk e dëshiron rënien morale. Nuk bëhet pjesë e zërit të pandërgjegjshëm dhe as e makinerisë shkatërrimtare të luftës, prandaj vendoset në Zvicër, ku i ndihmon të burgosurit gjermanë të luftës dhe të gjithë ata që kanë nevojë. Vetëm pak kohë më vonë përballet me krizën nervore. Më vonë ishte pacienti e njeriut që kishte ndikuar në veprën e tij: Karl Jungut…

Hesse besonte se dashuria nuk ishte humbje e vetvetes, siç ndodhte me pjesën dërmuese të njerëzve, por zbulim i saj. Pa e dashur veten nuk mund që t’i duash të tjerët. Dashuria për të ishte kult. Thirrja e tij humane ishte: Nëse kemi mundësi që një qenie njerëzore ta bëjmë më të lumtur dhe më të qetë, atëherë duhet ta bëjmë në çdo rast.

Vepra e tij më e njohur është  “Ujku i stepës”, njëfarë paralajmërimi i ankthshëm për luftën që po kanosej, një libër mbi njeriun ujk, mbi homoduplex-in, e cila nga studiuesit është vlerësuar si udhëtim brenda vetes, na jep mesazhin se njeriu nuk duhet të frikësohet për të jetuar. Vetëm qyqari ka aftësinë për të vdekur në vend se të jetojë, kurse i gjorë është njeriu, kënaqësitë e të cilit varen nga vullneti i njerëzve të tjerë.

Hesse ishte kundër luftës së racave. Ai ishte kundër çdo lufte. Ishte kundër ideologjive. Për të fashizmi dhe komunizmi nuk kishin dallim. “Fashizmi dhe bolshevizmi janë, padyshim, vëllezër të kundërt, por gjithnjë vëllezër; kur rritet njëri, plehëron tokën për tjetrin dhe e lind atë”, thoshte njeriu që bënte thirrje për paqe, si “harmoni e një jete plot kuptim dhe dashuri, për një paqe me vetveten dhe të tjerët”, njëkohësisht i urrente kufijtë, të cilët për të ishin “si topat, si gjeneralët, që derisa mbretërojnë arsyeja e humanizmi, paqja nuk të bie ndërmend dhe tallesh me to, por sapo shpërthen lufta dhe çmenduria, ato bëhen të rëndësishme e të shenjta”.

Si njeri i artit ai ishte kundërshtar i pushtetit. Ai ishte për triumfin e artit mbi qeverisjen. A nuk është quajtur më me vlerë një varg i Herderlinit sesa dituria e të gjithë sundimtarëve? -pyet shkrimtari, i cili për dallim nga Marksi, që donte ta ndryshonte botën, ky donte ta ndryshonte individin. “Ai u drejtohet masave, unë individëve”, shkruante Hesse.

Që të zhytesh në botën letrare të Herman Hesse – së, këtij Patriarku të letërsisë, me patjetër të duhet literatura ndihmëse – veprat e Shopenhauerit, Frojdit, Niçes, Fromit, Jungut, librat e shenjtë, veçanërisht njohja e filozofisë budiste. Në krijimtarinë letrare të Hesse – së janë shkrirë bukur dhe padiktueshëm filozofia e Frojdit mbi nënvetëdijen, ajo e Jungut mbi pavetëdijen kolektive, ajo e Fromit mbi reminishencat fëmijërore, filozofia budiste si burim i pashtershëm meditimi dhe çlirimi i shpirtit të ngulfatur brenda dimensioneve të një morali dhe dijeje sipërfaqësore. Kur lexon librat e Hesse-së zbulon veten, zbulon komplekset që i fshehim për shkakun e censorit të quajtur ndërgjegje (apo moral)…

Për përmasat e saj shumëdimensionale, kjo vepër u nderua edhe me çmime prestigjioze, gjegjësisht Çmimin “Gëte” dhe Çmimin Nobel për Letërsi, më 1946.

Më 9 gusht të vitit 1962 atij po i afrohej një mjegull e zezë. Kishte 85 vjet. Vdekja e kishte gjetur në Montanjola, pasi paraprakisht kishte përjetuar një hemorragji cerebrale. Ai ishte nisur drejt mbretërisë së vdekjes qetësisht.

Në qoftë se shumë shkrimtarë nga viset e Jugosllavisë së dikurshme do të merrni mësime nga jeta dhe vepra e Hesse – së, pra për rolin e intelektualit dhe shkrimtarit në kohë lufte, me gjasë nuk do të kishin dërdëllitur aq shumë, duke shfaqur fytyrat e tyre demoniake.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button