Presidenti Nishani mesazh urimi për Fitër Bajramin

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka uruar besimtarët muslimanë shqiptarë me rastin e festës së Fitër Bajramit, raporton Anadolu Agency (AA).   Në mesazhin e urimit publikuar në ueb-faqen e Presidencës, Nishani shprehet se kjo ditë e shenjtë shërben për të larguar urrejtjen, ndasitë dhe përçarjet e panevojshme.
 “Pas ditëve fort të mundimshme të agjërimit, por njëkohësisht të sprovës e të konsolidimit të besimit që keni kaluar gjatë Ramazanit, Festa e madhërishme e Fiter Bajramit kurorëzon përpjekjet e frytshme të atyre që besojnë në mësimet e shenjta dhe fuqinë e Krijuesit, të atyre që pasi kanë përshkuar udhëtimin shpirtëror njëmujor, ia kanë dalë mbanë të jenë bërë më të virtytshëm, më të mëshirshëm dhe më zemërgjerë”, shprehet Nishani në urimin e tij.

Ai ka theksuar se kjo festë e madhe i mbush të gjithë me shumë më tepër vullnet për të dhënë e për t’iu gjendur më afër të sëmurëve dhe fatkeqëve.

“Në këtë ditë të madhërishme, sidomos pas gjithë asaj sakrifice, dëshiroj shëndet, begati, ndriçim të shpirtit dhe kthjellim të mendjes, zemërgjerësi dhe sa më tepër respekt për më të pafatët e për ata që janë ndryshe. Nga zemra ju uroj të gjithëve: besimtarë muslimanë dhe jo muslimanët, të cilët në respekt të tjetrit dhe për të mirën e vetes, mbajnë Ramazanin dhe respektojnë Bajramin”, ka përfunduar urimin e tij Nishani.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button