VIJA E KUQE E DURIMIT

Vështirë është ta kujtosh rastin e vrasjes së një fëmije katërvjeçar vetëm për shkak se fëmija ka qenë shqiptar. E rrëqethshme është kjo ngjarje. Nga ana tjetër mëkat është të harrohet. Sepse është dhunë e pashembullt.

Nuk është i vetëm ky rast brutaliteti dhe dhune që ushtrohet ndaj shqiptarëve.

Çmenduria e këtillë që arrin skajshmërinë e dhunës, është rezultat i një shovinizmi të paparë. Rrënjët e saj janë thellë në platformat e të gjitha qeverive serbe që nga themelimi i Serbisë, në vitin 1878, në të cilat shqiptari konsiderohej si “i egër”, “i padijshëm”, “primitiv”, si njeri i rendit të dytë, i pa vlerë, thuajse skllav, kurse hapësira jonë etnike trajtohej si koloni klasike.

Si pasojë – ndaj nesh thuajse të gjitha strukturat e pushtetit janë sjellë me përbuzje dhe kanë ushtruar dhunë.

Fatkeqësisht dhuna, si metodë presioni, e instaluar nga krerët e shovinizmit institucional e kolonial serb  praktikohet edhe në Maqedoninë postjugosllave. Nuk janë të pakta viktimat, arrestimet dhe burgimet e qytetarëve shqiptarë të këtij vendi.

Sjellja e këtillë e pushtetit të këtushëm i ka inkurajuar edhe huliganët të sillen brutalisht ndaj shqiptarëve. Janë për t’i veçuar disa raste të këtij lloji të dhunës:

  1. Tifozët e Vardarit u futën nëpër shtëpitë e fshatit Nerez dhe ushtruan dhunë mbi njerëzit e pafajshëm të fshatit vetëm pse ishin shqiptarë. Ata rrahën gra e pleq,
  2. Disa herë huliganët rrahën e keqtrajtuan nxënës shqiptarë nëpër autobusët urbanë,
  3. Pas një rasti tragjik, kur u vra një djalë maqedonas, huliganët maqedonas dogjën shumë dyqane të pronarëve shqiptarë në lagjen Gjorçe Petrov, etj.

Pas këtyre e shumë rasteve të tjera të dhunës, kurrë nuk u mor vesh a është përgjigjur dikush për dhunën e ushtruar.

Fatkeqësisht shqiptarët s’ka kush i mbron.

Qeveria e Shqipërisë, fatkeqësisht, ka qenë gjithmonë indiferente në raport me zhvillimet antishqiptare në Maqedoni, ani pse e ka për detyrë kushtetuese t’i mbrojë interesat e shqiptarëve, kudo që janë. Asnjëherë nuk e kemi dëgjuar ndonjë reagim serioz të kësaj qeverie. Në vend se ajo të reagojë, ne vazhdimisht e dëgjojmë një kakofoni për gjoja maqedonasit e keqtrajtuar në Shqipëri nga ana e përfaqësuesve të pakicës maqedonase në Shqipëri.

Ngjashëm me Shqipërinë është sjellë dhe sillet edhe Bashkimi Evropian. Ky asociacion asnjëherë nuk i ka bërë vërejtje serioze qeverisë së Shkupit se po i shkel të drejtat e njeriut.

Bashkimi Evropian vazhdon me neglizhencën e tij ndaj mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve.

Një kapitull të veçantë të presionit dhe dhunës paraqet edhe një pjesë e madhe e mediave maqedonase. Këto media orë e çast e çdo ditë të perëndisë nuk e lënë pa i fyer shqiptarët dhe pa përhapur të pavërteta.

Për hallet e mëdha të shqiptarëve nuk mërziten as politikanët shqiptarë. Më e keqja është se sa herë që ka pasur dhunë ndaj shqiptarëve, qoftë dhunë ndaj individëve, qoftë ndaj ndonjë qyteti a fshati, politikanët shqiptarë që kanë pasur poste dhe pozita të ndryshme në pushtet s’e kanë parë të arsyeshme as ta dënojnë dhunën se të japë dorëheqje jo se jo.

Nëse pushteti dhe huliganët vazhdojnë të sillen kështu, nëse politikanët shqiptarë vazhdojnë të jeni të papërgjegjshëm, nëse mediat maqedonase që na fyejnë pa pushuar vazhdojnë të na fyejnë edhe më tutje, nëse Bashkimi Evropian nuk vepron brenda mundësive që ua japin konventat e ndryshme, atëherë Maqedonia nuk do të mund të ketë të ardhme të hairit, sepse edhe populli ynë si çdo popull, e ka një kufi durimi.

Dhe, vrasja e tmerrshme e një fëmije vetëm pse ka qenë shqiptar ishte një akt barbar me të cilin shovinizmi dhe çmenduria shkelën në vijën e kuqe të durimit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button