Drejtuesit e bashkësive islame mesazhe urimi për festën e Bajramit

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni (BFI), Sulejman Rexhepi ka dërguar një mesazh urimi me rastin e festës së Bajramit të Ramazanit, në të cilin ai falënderon Allahun që ka mundësuar të arrihen kënaqësitë gjatë tërë muajit të agjërimit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij mes tjerash, Rexhepi tha se nuk ka bukuri më të madhe se sa përpjekjet e pareshtura për të çuar tërë jetën ashtu siç e kalohet në muajin e Ramazanit, me adhurime të përbashkëta, me vizita vëllazërore te njëri-tjetri me zgjatjen e dorës së mëshirës për të varfrit dhe me vepra bamirësie.

“Nesër kemi festën e Bajramit. Të gjithë të gëzuar sepse plot shendeverë përmbushëm obligimet tona fetare. Agjëruam dhe u lutëm për mbarësi e për begati si në mesin tonë ashtu edhe në mbarë botën. Me këtë shpirt të dëlirë vazhdojmë edhe në ditën e Bajramit duke ia shtrirë dorën njëri-tjetrit, duke e përqafuar vëllai vëllanë, duke gëzuar sofrën e të varfërve , duke shtuar dashurinë dhe përkujdesin për jetimët, për prindërit tanë dhe familjet tona”, tha në urimin e tij kreu i BFI-së.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skender Bruçaj në urimin e tij me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit dhe festës së madhe të Bajramit tha se po e përcjellim me përmallim muajin e Bekuar të Ramazanit, me shpresën e madhe, që Zoti të ketë falur mëkatet tona dhe të ketë pranuar lutjet, adhurimet dhe sakrificën.

“Ramazani na mësoi se mirësitë dhe begatitë që na ka dhënë i plotfuqishmi, marrin kuptim, vetëm atëherë kur ndahen me të tjerët me synim fitimin e kënaqësisë së Zotit. Lutjet, adhurimet, sakrifica, dhe ripërtëritja shpirtërore që përjetuam gjatë muajit të bekuar të Ramazanit na forcon dhe motivon ta shohim festen e Fitër Bajramit si ditën e shpresave të reja, si ditën e të kujtuarit dhe solidaritetit me njëri-tjetrin, si ditën e ripërtëritjes së vëllazërisë, miqësisë dhe dashurisë për njeriun dhe njerëzoren”, shprehet Bruçaj në urimin e tij.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button