Balaj pret debutimin te Terek Grozny
Edhe pse i është bashkuar skuadrës së re prej vetëm pak orësh, Bekim Balaj është në pritje të debutimit në radhët e Terek Grozny.
Por, duke qenë se sulmuesi shqiptar nuk ka pasur kohë fizike të rikuperojë forcat, pas angazhimit në Kampionatin Europian, janë drejtuesit e stafit teknike të ekipit rus ata, të cilët mendojnë që lojtari të marrë gradualisht ngarkesën e plot fizike.
25-vjeçari i’u bashkua përgatitjeve të skuadrës në Austri vetëm të shtunën, ku zhvilloi edhe seancën e parë stërvitore, nën vëzhgimin e kujdesshëm të stafit, mediave dhe tifozëve.
Për këtë arsye, trajneri Rashid Rakhimov dhe asistentët e tij, vendosën ta linin pushim Balaj-n, në miqësoren ku Terek Grozny barazoi pa gola përballë sllovakëve të Senicës.
Një sfidë të cilën skuadra e cila u klasifikua e 7-ta në Premier League-n ruse gjatë sezonit të kaluar, tregoi se një sulmues me karakteristikat e kuqeziut është tejet i nevojshëm.
Terek Grozny krijoi disa raste për shënim dhe mund ta kishte fituar sfidën, por ai që mungoi ishte finalizimi në portën kundërshtare. Detyrë që do ti besohet kualitetit të Bekim Balaj, falë golave të së cilit skuadra çeçene do të synojë arritjen e kupave të Europës, transmeton Supersport.