Ka dhe kështu në Kosovë: Kredi për Bajram(!) – dhe ja si rrjepen financiarisht të pamundurit dhe naivët

Kur afrohen festa të ndryshme, qoftë fetare apo edhe festa të natyrave tjera, bankat komerciale në Kosovë e shfrytëzojnë rastin për të bërë një dorë të mirë parash duke ofruar kredi për konsum. Ato nxisin qytetarët që t’u qasen atyre për kredi të tilla, që sigurisht kanë norma të larta të interesit.

Edhe për festën e Fitër Bajramit, që vjen pas muajit të Ramazanit, disa banka përmes formave të marketingut kanë paraqitur ofertat e tyre për kredi konsumuese.

Ndërkohë që ka një paradoks, pasi kjo është një festë islame, ndërsa muslimanët e kanë të ndaluar marrjen dhe dhënien e parasë me kamatë. Por në shënjestrën e bankave, janë kategoria e atyre që janë thjeshtë “muslimanë tradite”, e që nga dëshira e madhe për të festuar, por pamundësisht për shkak të ekonomisë së dobët, bien si peshq në rrjetën tërheqëse të kredive.

13532907_1233302446681409_3338329506893776434_n
Ofertat përfshijnë interesin prej mbi 6 për qind që kërkohet nga bankat, duke i shndërruar ato në përftime të plota për vetë ato.

Sipas njohësve të fushës së Ekonomisë, bankat përmes këtyre kredive konsumuese për festa të ndryshme janë duke përfituar në kurriz të qytetarëve të varfër, por dhe naivë, të cilët edhe ashtu janë të zhytur në kredi. Ata thonë se kredi të tilla konsumuese, vetëm sa i dëmtojnë financiarisht qytetarët që zhyten në to, se kjo tregon për gjendjen e jo të mirë socio-ekonomike që po mbretëron në Kosovë tash e sa vite.

Bankat po fitojnë nën petkun humanitar

Naim Gashi, profesor i Ekonomisë, ka thënë për tesheshi.com se ofrimi i kredive për festën e Bajramit dy herë në vit, është një ofendim që iu bëhet qytetarëve të Kosovës, përkatësisht atyre që janë klientë të bankave komerciale.

“Kjo është ofenduese për faktin se po pretendohet të fitohet nën petkun humanitar, ndërsa faktikisht kjo po bëhet në kurriz të qytetarëve të varfër, pasi ata gjatë gjithë këtyre viteve kanë  paguar vazhdimisht kamata të larta”, thotë Gashi.

Profesori Gashi thotë se nëse bankat komerciale që veprojnë në Kosovë do të dëshironin që t’iu vijnë në  ndihmë qytetarëve me rastin e Bajramit apo festave tjera, do të duhej që këtë ta bënin me kamata të ulëta, krejtësisht simbolike ose pa kamatë fare.

Duhet të ulen kamatat për kredi konsumuese

Lulzim Beqiri, magjistër i Ekonomisë, ka thënë për tesheshi.com se marketingu që bëjnë bankat komerciale dhe institucionet tjera mikrofinanciare për kredi gjatë festave, nuk është aspak pozitiv, pasi shumë kosovarë kanë kredi të mëdha dhe po detyrohen të marrin kredi mbi kredi vetëm e vetëm për të arritur diçka në jetën e tyre.

“Këto kredi janë jo të mirëseardhura për qytetaret kosovarë, pasi janë konsumuese dhe nuk ka ndonjë përfitim, vetëm barrë e rëndë për kredimarrësit, sepse atë duhet me e kthyer disi. Paramendoni me një rroge mesatare 200 ose 250 çka mund të bëjë njeriu. Një lajm i mirë është se kamatat e bankave komerciale kanë filluar të shënojnë rënie, edhe pse simbolike, megjithatë ka zhvillim pozitiv dhe ndikimi i thirrjeve të analistëve ekonomik dhe qytetarëve po merret parasysh”, thotë Beqiri.

Ai thotë se me rastin e festave, kamatat duhet të jenë më të ulëta, pasi për atë është dhe festë. “Në vendet normale dhe me ekonomi te qëndrueshme, me rastin e festave ka ulje të mëdha të çmimeve dhe produkteve tjera”, shton Beqiri.

“Këto oferta siç proklamohen dhe me sloganin ‘Kredi për Bajram, ‘Kredi për pushime të këndshme’, ‘Kredi për telefon’, etj. Thjesht, nëse vërtetë respektohet një komunitet siç është edhe rasti i festës së Bajramit, këto kamata do të duhej të paktën të ishin nën 5% interes ky popull është lodh, nuk ka më fuqi… Nga ky portal ju bëjë thirrje bankave komerciale që nëse ju ka mbet sadopak njerëzi, uleni kamatat sepse e merret në qafë një popull, historia s’do ua falë një plaçkitje të tillë”, u shpreh Beqiri.

Ndryshe, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, mbi 500 mijë qytetarë kanë kredi në bankat komerciale, me një vlerë mbi 2 miliardë euro.

Përgatiti: Tesheshi.com

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button