Policia e Tiranës jep detaje për grabitjen në Aeroportin “Nënë Tereza”

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur dje në sheshin e brendshëm të Aeroportit “Nënë Tereza”, ka reaguar përsëri Policia e Tiranës. Në një konferencë për mediat, drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, ka deklaruar se policia e ka rreptësisht të ndaluar të patrullojë në aeroport, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nga të dhënat paraprake të hetimit, rezulton se persona të maskuar me maska dhe paruke, të armatosur me armë automatike të llojit kallashnikov, nën kërcënimin e armëve, kanë arritur të grabisin një sasi valute të kartëmonedhave të ndryshme, të deklaruar më pak se 1 milion euro, në automjetin e blinduar. Reagimi i Policisë ka qenë i menjëhershëm pas njoftimit të dhënë, megjithëse sipas regjistrave, është njoftuar rreth 10 minuta pas hyrjes së makinës dhe 5 minuta pasi autoret janë larguar nga rrethimi i aeroportit”, ka deklaruar Hodaj në konferencën për emdiat.

Sipas tij në bazë të marrëveshjes koncensionare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Koncensionare Tirana International Airport, siguria e perimetrit të jashtëm të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendqëndrimin e avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe sallën e kamerave CCTV, e bën në mënyrë ekskluzive shoqëria koncesionare nëpërmjet kompanive private të sigurisë.

Hodaj ka shtuar se policia, mbi bazën e kësaj marrëveshje e ka rreptësisht të ndaluar të patrullojë në aeroport.

“Gjithashtu, Policia e Shtetit, bazuar edhe në masat e shtuara të sigurisë, të marrra në kuadër të luftës kundër terrorizmit, kryen shërbim me patrulla të shtuara në kabinat e kontrollit të pasagjerëve në hyrje-dalje, në ambientet e brendshme dhe para terminalit të pasagjerëve, në ambientet e intervistimit të shtetasve të kthyer dhe për sigurimin e personave të shoqëruar në ambientet e Komisariatit”, ka shtuar më tej Hodaj.

Kujtojmë se grabitja me armë në pistën e Aeroportit “Nënë Tereza” ndodhi gjatë ditës së djeshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button