LSDM kërkon kontroll të prokurimeve publike në të gjitha komunat e Maqedonisë

“Pushteti në ikje nëpërmjet Policisë Financiare, zbaton kontrolle të porositura. Misioni i tyre hakmarrës është në komunat e Strumicës dhe Kumanovës, të cilat udhëhiqen nga LSDM. Plot 10 vite këto komuna janë nën kontrolle të vazhdueshme dhe intensive nga institucionet e shumta partiake. Strumica dhe Kumanova nuk kanë çfarë të fshehin. Procedurat dhe prokurimet publike janë në pajtueshmëri me ligjin”, deklaroi sot zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, njofton Portalb.

“Kërkojmë nga Policia Financiare që t’i publikojë rezultatet e kontrollit të bërë. VMRO-DPMNE po i keqpërdor institucionet me qëllim që ta mbulojë kriminalitetin nga radhët e saj, në nivel lokal dhe qendror. Me procedura të këtilla VMRO-DPMNE-ja mundohet përpara publikut që funksionarët e saj kriminel t’i barazojë me ato të LSDM-së”, u shpreh Shilegov.

Ai theksoi se sot publikisht ka paraqitur kërkesë deri te Policia Financiare për atë që t’i kontrollojë të gjitha prokurimet publike për transportin e nxënësve në të gjitha komunat e Maqedonisë.

“Njëlloj, ashtu sikur e ka bërë me Strumicën dhe Kumanovën. Nëse atë nuk e bëjnë njerëzit kryesor të Policisë Financiare, duhet ta dinë se do të përgjigjen për mbrojtje të papërgjegjshme dhe të anshme të aktiviteteve kriminale”, deklaroi Shilegov, transmeton Portalb.

Përndryshe, Komuna e Strumicës gjatë ditës së martë, është kontrolluar nga inspektorët e Policisë Financiare të cilët, sipas burimeve të mediave pro-qeveritare, me urdhër të Prokurorisë Themelore janë angazhuar që të marrin disa dokumente që kanë të bëjnë me disa tenderë për transportimin e nxënësve në Komunën e Strumicës.

Komuna e Strumicës, pas bastisjes së zyrave të tyre, ka reaguar duke theksuar se në periudhën e kaluar deputeti i VMRO-së, Pishev, ka për qëllim që vëmendjen e Prokurorisë Speciale ta shpërqendrojë, nga kryetari i Komunës së Manastirit, Vlladimir Taleski, i cili është i akuzuar nga Prokuroria Speciale në rastin “Transportuesi” që ka të bëjë me transportin e fëmijëve të Manastirit dhe që sipas PSP-së, i ka bërë dëm shtetit për 360.000 euro. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button