Inaugurohet linja e interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë

Është inauguruar sot linja 400 KW e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku të pranishëm në ceremoninë e organizuar ishin edhe kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Isa Mustafa, raporton Anadolu Agency (AA).

Rama në fjalën e mbajtur në këtë ceremoni ka pohuar se Shqipëria dhe Kosova duhet që të krijojnë një bursë të përbashkët të energjisë, me qëllim që sipas tij të rritet mirëqenia e popullit.

“Krijimi i bursës së energjisë do na japë mundësi që të operojmë edhe në rrjetin e energjisë. Mjafton të kemi vizionin e duhur dhe të përcaktojmë idetë e duhura, për të sjellë transformim epokal në funksion të rritjes ekonomike, rritjen e mirëqenies së njerëzve duke kthyer këtë pasuri në një pasuri që jo vetëm nuk shkon dëm, por prodhon mirëqenie. Me këtë linjë ne krijojmë kushtet e integrimit me njëri-tjetrin, të kemi mundësinë e një politike të përbashkët energjetike, të jemi më të fuqishëm dhe të integruar në tregun evropian të energjisë”, tha Rama.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi se pas kësaj “autostrade energjetike”, radhën e ka lidhja e Kosovës me projektin TAP, sipas tij, si një investim i përbashkët rajonal.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka konsideruar linjën e interkonjuksionit Shqipëri-Kosovë si një nga projektet më të mëdha të të dy vendeve. Nga ana tjetër ai ka shtuar se përmes kësaj linje, dy vendet do të kenë mundësi që të ndihmojnë jo vetëm njëri-tjetrin, për të realizojnë shkëmbimin e energjisë dhe të dalin në tregun rajonal.

Mustafa theksoi se ky projekt do të sjellë edhe zhvillimin e ekonomisë së dy vendeve përmes zvogëlimit të shpenzimeve.

“Ky projekt është një fitore e përbashkët. Mund ta konsideroj si ekuivalente e Rrugës së Kombit. Ky projekt është mjaft i rëndësishëm për të dy vendet dhe është vepër e madhe e një tregu të përbashkët të Shqipërisë e Kosovës që do zgjerohet edhe në vazhdim. Kemi punuar në këtë drejtim edhe në Kosovë. Ky është një resurs shtytës për investime të brendshme e të jashtme dhe i jep vlerë më të madhe këtij diversiteti pasi krijon mundësi shkëmbimi energjie. Ky projekt është rrugë e jetës së ekonomisë, arterie e rëndësisë së veçantë për zhvillimin ekonomik të dy vendeve tona”, tha Mustafa.

Investimet për përfundimin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri – Kosovë, filluan në prill të vitit 2014 dhe përfunduan në qershor të këtij viti.

Linja e re e interkojneksionit Shqipëri-Kosovë është financuar nga qeveria e Republikës Federale Gjermane nëpërmjet Bankës KfW. Kjo linjë ka një gjatësi prej 242 kilometrash nga të cilat 155.5 kilometra në territorin e Shqipërisë dhe pjesa tjetër rreth 90 kilometra në territorin e Kosovës.

Linja përveç rritjes së kapacitetit të shkëmbimit të energjisë elektrike në rajon, pritet të mundësojë shfrytëzimin optimal të burimeve të përbashkëta të prodhimit të energjisë elektrike të Kosovës dhe Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button