Gjosha: Integrimi në BE, projekti i transformimit për Shqipërinë

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, ishte në Vjenë ku mori pjesë në konferencën “Qeverisja publike si themeli i procesit të integrimit”. Ministrja Gjosha ishte e ftuar në një nga panelet e kësaj konference ku foli mbi reformën në administratën publike dhe rëndësinë e saj për të avancuar me axhendën europiane, transmeton Gazeta Shqip.

“E them me bindje të plotë se reforma në administratën publike ka qenë një prej reformave me të vlerësuara nga partnerët tanë europianë. Ky vlerësim është shprehur edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian. Institucionet shqiptare kanë treguar angazhim të fortë për zbatimin e reformës”, tha Gjosha. Ministrja e Integrimit ndau me të ftuarit disa nga arritjet që janë bërë dy vitet e fundit për plotësimin e reformës në administratën publike me masa konkrete. “Jemi të ndërgjegjshëm se ka ende punë për të bërë por, rezultatet e arritura deri më sot kanë hedhur bazat e forta për konsolidimin e shërbimit civil, profesional i cili bazohet në meritë”, tha ajo.

Duke vijuar më tej, ministrja Gjosha, theksoi se Administrata Publike është një nga fushat ku forca transformuese e Bashkimit Europian ka ndihmuar dukshëm në krijimin e një administrate publike eficiente. “Ndaj dhe dua të përsëris dhe një herë se ne besojmë në projektin europian, pavarësisht sfidave, sepse për ne ai është projekti i modernizimit të transformimit. Perspektiva e besueshme dhe e parashikueshme europiane mbetet mbështetje e pazëvendësueshme për konsolidimin e shtetit tonë demokratik”, tha ministrja Gjosha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button