Ademi: Vendet e Grupit të Vishegradit shembull për bashkëpunim të mirë
Zëvendëskryetari i Qeverisë, përgjegjës për Çështje Evropiane, Arbër Ademi sot në hapësirat e BE Info Qendrës mori pjesë në ceremoninë me rastin e marrjes së kryesisë së grupit të Vishegradit nga Republika e Polonisë.
Zëvendëskryeministri Ademi, siç njoftojnë nga zyra për Informim e SÇEsë, uroi Republikën e Polonisë për marrjen e kryesisë së grupit të Vishegradit, me ç’rast, shprehu dëshirë për realizim të suksesshëm të programeve dhe qëllimeve gjatë vitit.
“Vendet e grupit të Vishegradit janë shembuj të mirë për bashkëpunim të cilat mund të merren në rastet e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në veçanti nëse e marrim parasysh se ne ndajmë vizion të njëjtë të jemi anëtarë të BEsë”, ka theksuar Ademi, duke falënderuar për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe të fuqishëm të grupit të Vishegradit në procesin eurointegrues të vendit.