Katër listat e njerëzve

O djalosh!
Eja pak këtu!
Eja t’i kombinojmë dy gjëra me shkas!
Eja se unë kam disa fjalë, po nuk kam laps.
Eja e shkruaji dhe jepua vetëm shpirtrave të bekuar…
Mos ua jep të gjithëve, nëse nuk do të jesh keqkuptuar!

Pa dyshim se shumë herë ke dëgjuar një këshillë:
“Kujdes me njerëzit!”, “Kujdes me njerëzit!”
Apo jo?
Mirëpo…
Pas këtyre tri pikave ka një oqean me shumë pika të tjera.

Ta dish se njerëzit përreth teje janë padomosdoshmëria më e domosdoshme,
Kurse ti më e shumta që mund të kesh është përsosuri e papërsosshme.

Nuk mund të përsosësh një element kur platforma është e papërsosshme,
E le të të shkojë mendja këtu saherë që njerëzit thonë “jeta është e zorshme!”
Se jeta është e barabartë për të gjithë,
Por edhe më të lehtësuar e bëjnë armiqtë e kthyer në miq,
Ndërsa definitivisht e zorojnë ata që na kthehen në armiq!

Sidoqoftë!
A i kthehemi temës kah e cila i drejtuam shpirtrat?

Mos ia nis jetës vetë, po as mos rri me gjithë botën, e të mbetesh i shkretë!
Mos e tradhto historinë, se historia të helmon.
Mos e shpërfill mençurinë që është shkruar me vuajtje e gjak!
Mati mirë fjalët që po t’i them unë njeriu që me vuajtje është bërë plak!

Në jetë katër lista përpilo…
Vërua si të duash emrat a ngjyrat, po mos i lër pa to!
Në bazë të aromës që japin, mendimin për to ndërto!

Listën e Parë quaje TË GJELBËR!
Në të vëri vëllezërit që nuk kanë ardhur përmes prindërve të tu!
Vëri ata për të cilët të gufon e të gurgullon shpirti,
Që kur i sheh bëhesh i dobët e nuk përmbahesh.
Që do t’ua falje çdo gabim pa përjashtim!
Po a mundet njeriu të mos gabojë, do të thuash?
Nuk mundet, i vë duart në zjarr edhe unë, po të duash…
Por ai veprim nuk do të ishte gabim, se s’do ta kishte bërë.
Ose ti nuk do ta përjetoje të tillë, se të dashurve u falet gjithçka.
Ose, në rastin e tretë, ke gabuar vetë ti që e ke futur te kjo lista!

Listën e Dytë quaje TË BARDHË!
Në të vëri të gjithë shoqëruesit që të vijnë nga dallgët e jetës!
Vëri ata që nuk do të doje t’i kishe armiq,
Por që nuk munden ose ende nuk munden të bëhen gjelbëranë!
Falju zemrën tënde dhe gjithë dhembshurinë e merituar,
Por asnjëherë – ama asnjëherë – pa e tepruar…

Listën e Tretë quaje TË ZEZË!
Në këtë mos vër asnjë njeri që nuk e njeh!
Këta do të duhej patjetër t’i kesh njohur, për të qenë aty!
Zakonisht vendin këtu do ta kishin ish-bardhanët!
Se sa veta do të jenë këtu të listuar,
Varet prej vargut të fundit të strofës paraprake a e ke respektuar…

Listën e Katërt quaje TË KUQE!
Në këtë listë, realisht, duhet të kesh shumë pak veta!
Pra, kjo është ajo lista si rezultat i së cilës njerëzit thonë “zor jeta!”
Sipas parimit të natyrshëm, këtu hyjnë ish-gjelbëranë.
Ata që gabimisht i kemi shpallur veteranë të shpirtrave tanë…

Bëj çka të bësh, listën e gjelbër dhe listën e kuqe të vogla mbaji!
Të bardhën dhe të zezën sa sytë që i do ruaji!

Të gjelbrën
mbaje të vogël që t’i pakësosh zhgënjimet,
Të kuqen mbaje të vogël që t’i pakësosh hidhërimet,
Të bardhën rrite që t’i rrisësh ngazëllimet,
Të zezën tunde e tollovite duke synuar përmirësimet!

Këto lista përpiloji e tregojua vetëm shpirtrave të bekuar,
Por jo të gjithëve, nëse nuk do të jesh keqkuptuar!

Shkruar nga Arsim Jonuzi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button