Lëvizja BESA ka një kërkesë drejtuar negociatorëve për krizën

Tash kur po ringrihen bisedimet mes katër partive, përsëri në rezidencën e BE-së në Përzhinë, Lëvizja BESA konsideron se është jo vetëm e pakuptimtë dhe e kotë, por edhe dështim, që këto bisedime të vazhdojnë vetëm me ata që ishin shkaktarët e sabotimit dhe dështimit të marrëveshjes së arritur më 2 qershor vitin e kaluar.

“Është iluzore të besohet se ata që një herë janë dëshmuar me veprimin e tyre për t’i shkelur marrëveshjet, se tash janë mbushur mend dhe do të veprojnë ndryshe. Ne jemi të bindur se cilado marrëveshje që arrihet në aso formati, përveç që jemi të sigurt se do ta ketë fatin e njëjtë si e para, ajo do të dënohet me mosnjohje edhe nga opozita shqiptare, e cila nuk është e përfaqësuar në këto bisedime. Kur dihet mirëfilli se pas 9 majit kanë ndryshuar rrethanat dhe se me hulumtimet e fundit të opinionit publik lider i opozitës shqiptare është Lëvizja BESA, injorimi i saj është njëherazi sabotim edhe i secilës marrëveshje të arritur”, thuhet në komunikatën e partisë.

Lëvizja BESA kërkon që detyrimisht të jetë e përfshirë në këto bisedime, jo vetëm për arsyen se ajo e përfaqëson shumicën e opozitës shqiptare, por edhe për arsyen se, sic thonë ata, kanë platformë për zgjidhjen e kësaj krize, e cila mund të jetë ndihmesë e rëndësishme në tejkalimin e saj./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button