“Nëse ju thoni të kundërtën, atëherë nuk na duhet liberalizimi i vizave”

Kryetari i Përgjithshëm i AK Partisë dhe kryeministri i Turqisë Binali Yildirim, mbajti fjalim në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij, raporton Anadolu Agency (AA).

“Që nga 22 korriku si rezultat i luftës sonë ndaj terrorit të bazuar në siguri, është thyer rezistenca e organizatës terroriste nëpër qytete dhe qyteza dhe shteti ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mundësimin e sigurisë për popullin tonë në çdo cep të vendit. Megjithatë, gjithsecili duhet ta dijë këtë: qoftë në veri të Sirisë, qoftë në Mosul dhe veri, ekzistojnë plane që janë hedhur në shesh. Turqia asnjëherë nuk do të lejojë formim të ri atje”, tha Yildirim.

– “Përveç Turqisë, mund t’i shihni emrat e të gjithëve”

Ai tha se Parlamenti Gjerman “ka nënshkruar një gënjeshtër historike”. “Dua ta them haptazi dhe qartë: Parlamenti Gjerman ka bërë gabim historik. I ka dëmtuar në masë të madhe marrëdhëniet mes Turqisë dhe Gjermanisë. Rrjedhimisht, kjo rezolutë nuk ka asnjë vlerë nga këndvështrimi ynë. Me theks të veçantë them të dihet kjo. Pavarësisht se çfarë vendimi merrni, e kaluara e Turqisë është e qartë e në historinë tonë nuk ka gjenocid”, tha Yildirim për të shtuar në vazhdim

“Ata që na akuzojnë me gjenocid, u sugjerojmë ta shikojnë veten në pasqyrë e të rikujtojnë edhe një herë se çfarë kanë bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të parët tanë kanë sunduar për 619 vite në tri kontinente me tolerancë dhe vëllazëri. Janë ende në kujtimet e njerëzve ngjarjet e viteve të 90-ta në Ballkan dhe Bosnjë. Ata që ende nuk kanë dhënë llogari për ndodhitë në Siri, Irak, Somali dhe Afrikë Veriore, kanë marrë detyrën e gjykimit për një ngjarje të rreme të para 100 viteve. Mendojnë e dëshirojnë ta mbajnë në gjendje të papërshtatshme Turqinë. Nëse vërtet rishikohen të dhënat në lidhje me gjenocidet në të kaluarën, aty nuk do ta gjeni emrin e Turqisë. E përveç Turqisë, aty mund t’i shihni emrat e të gjithëve”, tha kryeministri turk.

– “E dënojmë këtë sulm terrorist. Ne nuk zbatojmë standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për terrorizmin”

Në lidhje me sulmin terrorist në qytetin Orlando të SHBA-ve, Yildirim theksoi se pa hamendje e dënojnë terrorin me çfarëdo qëllimi që bëhet dhe se ai që e vuan dhimbjen më të madhe të kësaj dukurie është populli. “E dënojmë këtë sulm terrorist. Ne nuk zbatojmë standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për terrorizmin. Mendësitë si ‘Terroristi yt është i këndshëm, i imi i pakëndshëm’, nuk mund të zënë vend tek ne”, u shpreh Yildirim.

– “Nëse ju thoni të kundërtën, atëherë nuk na duhet liberalizimi i vizave”

Yildirim rikujtoi se Turqia ka kaluar një ecuri prej 53 vitesh në rrugën e anëtarësimit në BE dhe se kjo është një aventurë më shumë se gjysmë shekullore. “Po japim përpjekje për unitetin dhe qëndrueshmërinë e vendit tonë. Në këto rrethana, ne mendojmë se assesi nuk bëhet fjalë për çfarëdo ndryshimi në Ligjin për luftën kundër terrorizmit, qoftë edhe nëse nga kjo varet liberalizimi i vizave. Nëse ju thoni të kundërtën, atëherë nuk na duhet liberalizimi i vizave”, u shpreh Yildirim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button