Berisha planifikon trazira në janar, protesta për premtimet e mazhorancës

Partia Demokratike, partia më e madhe në opozitë, pritet të radikalizojë aksionin politik në fillim të vitit të ardhshëm. Ndërsa “kosa” e aksionit antikorrupsion tashmë po u afrohet ministrave të bashkëpunëtorëve të Sali Berishës, ky i fundit do të tentojë të tensionojë klimën politike në muajin janar, për të trembur qeverinë dhe mazhorancën.

Pas votave të Korçës dhe armëve kimike, tashmë kauza e radhës së opozitës pritet të jetë rritja e taksave dhe situata ekonomike. Edhe pse në të gjitha tentativat e deritanishme për protesta, PD ka dështuar në mënyrë të paimagjinueshme, Partia Demokratike pritet të zbresë në sheshe në muajin janar dhe muajin shkurt. Drejtues të lartë të Partisë Demokratike, bënë dje me dije se mazhoranca do të përballet me protesta popullore nëse paketa fiskale e qeverisë do të miratohet në Kuvend.

Në këto kushte, protestat janë të pashmangshme, pasi mazhoranca është e vendosur për të miratuar paketën fiskale, e cila sipas saj do të shënojë kthesën në ekonominë shqiptare. Radikalizmi aksionit politik është paralajmëruar edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili duket se është arkitekti i një strategjie për të krijuar trazira në vend. Duke përdorur një artikull në gazetën “The Economist”, Berisha ka paralajmëruar trazira dhe destabilizim të vendit në fillim të vitit të ardhshëm.

“Në zhgënjimin e qytetarëve shqiptar nga premtimet elektorale të provuara, mashtrime të Edi Ramës për kujdes shëndetësor, legalizime falas, heqjen e TVSH-së për ushqimet dhe energjinë. Uljen e taksave për 97% të shqiptarëve. Rritjen e taksave dhe rritjen e madhe të borxhit publik që do të shoqërohet me rritjen e shpejtë të varfërisë dhe papunësisë dhe uljen e të ardhurave, bllokimin e procesit të integrimit nga qeveria Rama-Meta si rezultat i dhunimit të kushtetutës, ligjeve, vendimeve të gjykatave me vendime të qeverisë”, ka deklaruar Berisha. Ish-kryeministri theksoi se shqiptarët nuk duhet të pajtohen me rritjen e rrezikshme të taksave dhe borxhit publik nga qeveria Rama-Meta. Sipas tij, kjo gjë, e fut Shqipërinë në vendet me risk të lartë.

Basha

Duke iu referuar rastit me votat e Korçës dhe armëve kimike, gjithashtu buxhetit për vitin 2014, vetëm dy ditë më parë, Basha ka paralajmëruar protesta në salla apo sheshe, nëse miratohet buxheti në Kuvend. “Do të thërrasim OSBE-në të na sjellë vëzhgues?! Çdo shoqëri e civilizuar ku kanë angazhimet e tyre për fatin e tyre, siç demonstroi edhe kjo shoqëri me rastin e krizës së vetëprovokuar dhe shpërfillja e qytetarëve shqiptarë për armët kimike, merr në dorë fatin e vetë. Fati i shqiptarëve është në dorë të shqiptarëve.

Sovrani në këtë vend është dhe mbetet populli. Ndaj nga kjo pikëpamje jo vetëm që nuk kemi shkurajuar por kemi inkurajuar çdo zë proteste në salla apo në sheshe, siç ishte para një jave dhe do të vazhdojmë ta mbështesim fuqimisht. Do të vazhdojmë ta mbështesim politikisht dhe kur të vijë momenti do të jemi edhe ne bashkë me qytetarët në krye të aksionit për të ndalur arrogancën, arbitraritetin, dhe papërgjegjshmërinë e kësaj qeverie që tashmë kërcënon drejtpërdrejtë xhepin, tavolinën dhe mirëqenien e çdo shqiptari”, ka deklaruar Basha.

Lajme të ngjashme

Back to top button