Ahmeti: Asnjë ligj nuk e ndalon flamurin kombëtar

Shpend Ahmeti, kryetari i ri i Prishtinës, deklaroi se flamuri dhe simbolet shtetërore do të jenë në të gjitha vendet dhe dokumentet ku e kërkon ligji, duke shtuar se asnjë ligj nuk e ndalon flamurin kombëtar.

“E kam thënë edhe shumë herë më parë dhe do ta përsëris edhe njëherë. Flamuri dhe simbolet shtetërore do të jenë në të gjitha vendet dhe dokumentet ku e kërkon ligji. Politikisht nuk pajtohemi, por kjo çështje nuk zgjidhet në nivel komune, por në nivel qendror. Megjithatë, asnjë ligj nuk e ndalon flamurin kombëtar”, është shprehur Ahmeti në rrjetin Facebook.

Ai shkruan se nuk është marrë as nuk e ka në plan të merret me fotografitë, duke aluduar në shkrimet se Ahmeti do ta largojë fotografinë e ish presidentit Ibrahim Rugova.

“E dyta, nuk jam marr e as që e kam pas plan të merrem me fotografitë. Edhe kjo çështje rregullohet në nivel qendror. Nuk mendoj se kryetarët e komunave do të duhej të vendosnin fotografi sipas preferencave në çdo zyre të Komunës. Tematizimi i këtyre çështjeve na largon nga problemet që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës në komunën tonë. Edhe njëherë, sot filluam punën dhe e prezantuam ekipin. Do të punojmë sipas programit dhe parimeve të cilat i kemi prezantuar në fushatë dhe që i kemi prezantuar si organizatë”, u shpreh kreu i Komunës së Prishtinës.

Lajme të ngjashme

Back to top button