Për një javë 161 raste të reja të gripit

Në periudhën kohore prej 16 deri 22 dhjetor në vend janë paraqitur 161 raste të reja me simptome të gripit.

‘Në krahasim me numrin e të sëmurëve në sezonin e kaluar, në periudhën e njëjtë është shënuar rritje për katër për qind, ndërsa në krahasim me dhjetë vitet e fundit, regjistrohen 3.4 herë më shumë të sëmurë me grip’ thonë nga Instituti për shëndet publik.

Numri i përgjithshëm i te prekurve nga gripi këtë vit që nga fillimi i sezonit deri tani është 746. 

Apeli i drejtuesve te shëndetësisë qe popullata te vaksinohet kundër gripit sezonal, përforcohet.

Sezoni i gripit nis nga muaji tetor, deri në maj, ndaj është e rëndësishme që ne të flasim për parandalimin e gripit pasi është një sëmundje, nga e cila vdesin çdo vit 250 000 – 500 000 veta në botë, gjatë gripit sezonal dhe miliona gjatë pandemive.

Shenjat e zakonshme të gripit stinor janë temperaturë e lartë, kollë, dhimbje 
fyti, lodhje, dhimbje koke, të përziera, etj.

Gripi stinor transmetohet direkt nga një person i sëmurë tek tjetri nëpërmjet kollitjes, teshtimave ose indirekt nga dhënia e dorës një personi të infektuar apo prekja e objekteve të ndotura me virusin e gripit stinor dhe më pas ata prekin sytë, gojën apo hundën.

 Mjekët thonë se çdo njeri mund të preket nga virusi i gripit stinor dhe ta përhapë atë tek të tjerët. Por disa njerëz janë në rrezik më të madh për t’u infektuar me virusin e gripit stinor ose të bëjnë komplikacione nga gripi.

 Në rrezik më të madh, sipas mjekëve, janë fëmijët e vegjël nën 5 vjeç, sidomos deri në 2 vjeç, personat mbi 65 vjeç, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si astma, diabeti, sëmundjet e zemrës, të mushkërive, etj.

 Mjekët këshillojnë që personat e prekur nga gripi të drejtohen tek mjeku nëse fëmijët shfaqin vështirësi në frymëmarrje apo gulçim, dhimbje apo presion në gjoks apo bark, marramendje papritur, të vjella të menjëhershme ose të vazhdueshme, apo edhe konfuzion mendor./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button