Dibranët të zhgënjyer, për lotarinë fiskale duhet udhëtuar deri në Shkup

Lotaria që do të shpërndajë  Ministria e financave, gjegjësisht Stavrevski  gjatë natës së Vitit të Ri ,ka irrituar pa masë qytetarët dibran. Përderisa informatat e para ishin që zarfet me letrat fiskale të dorëzohen nëpërmjet të postës, tanimë sipas asaj që mësojmë në mediet maqedonase, prej gjysmës së muajit dhjetor të njëjtat duhet të dorëzohen në sheshin e Shkupit në të cilat gjinden vendet speciale të lotarisë maqedonase.

Sipas medieve maqedonase, të njëjtat duhet të dërgohen vetëm në Shkup dhe kjo vlen për të gjitha qytetet e Maqedonisë  që nga qytetarë të shumtë të vizitohet edhe Sheshi i Shkupit.

Mos informimi në kohë i dibranëve ka bërë që pjesa e madhe e tyre vazhdojnë të njëjtat t’i dërgojnë me zarfe nga Posta në Dibër. Në bisedën që kishim me punonjësit e postës të njëjtët nuk kanë asnjë informacion në lidhje me këtë problem duke shtuar se dibranët ende vazhdojnë të dërgojnë zarfe me letra fiskale. 

“Ne si institucion nuk kemi asnjë informacion në lidhje me këtë çështje. Dibranët vijnë përditë dhe dorëzojnë zarfet me shpresë se do marrin diçka nga lotaria që luhet për herë të parë këtë vit. Shpresojmë që këto zarfe të merren parasysh sepse shkaku i letrave fiskale bashkëqytetarët tanë blejnë me të madhe që të arrijnë në letrën fiskale”, u shpreh B. B.punonjëse në postë.

Dibrani Nuredin Nuredini tha se kjo që bën ministria është politikë e fëlliqur dhe shpenzim dyfish për dibranët dhe mbarë qytetarët e vendeve tjera.

 “U zhgënjyem të gjithë nga ky lajmi i papritur. Në fillim kishim shpresa dhe kënaqësi ë grumbullojmë sa më shumë letra fiskale, tanimë gati të gjitha i hedhim në mbeturina. Prej Dibre deri në Shkup duhet të udhëtojmë mbi 130 km vetëm për zarfet. Shumica e dibranëve i dërgojnë me farefis që jetojnë në Shkup, por jo të gjithë kanë njerëz në Shkup, ndaj jemi të shqetësuar nga kjo gënjeshtër e kulluar”, tha Nuredini.

Lajme të ngjashme

Back to top button