Maqedonia as me Greqinë e as me Bullgarinë ‘nuk ka muhabet’

Hendeku në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Athinës nuk pritet të kapërcehen as gjatë vitit të ardhshëm. Madje shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Popovski  u shpreh pesimist rreth mundësisë që çështja e Maqedonisë të shqyrtohet gjatë kryesimit grek me Bashkimin Evropian.

Popovski topin sërish ia hodhi Greqisë, për dështimin e vendit që të merrte datën  për fillimin e negociatave në Samitin e Këshillit të BE-së.

“Greqia nuk është e fokusuar në procesin e zgjerimit aq më pak në dosjen e Maqedonisë. Kjo krizë, kjo situatë e pavolitshme ekonomike në Greqi ka shpërqendruar plotësisht vëmendjen e udhëheqësisë politike nga kapërcimi i problemit të emrit. Nga ana tjetër, nuk shohim interes që kjo përbërje politike të përfshihet më shumë në zgjidhjen e problemit dhe në rrethana të tilla aktiviteti i vetëm nga pala greke është në drejtim të dërgimit të mesazheve ultimative sikurse: ose përmbushni të gjitha dëshirat tona se ashtu siç presim ne t’i përmbushni ose nuk do të lejojmë progres të mëtejshëm  në proceset euro-integruese ashtu siç nuk kemi lejuar deri më tani”, deklaroi Ministri i Jashtëm Nikolla Poposki.

Poposki gjithashtu tha se pret nga Greqia të mbajë llogari për dinamikën e realizimit të idesë evropianë në Ballkan.

“Një qasje e tillë duhet të na çojë në drejtim të afrimit të dyja palëve rreth asaj që është e pranueshme për të dyja palët dhe jo në drejtim të kërkesave ultimative dhe refuzim të dinamikës për takime të shtuara në nivel politik, ashtu sikurse ne iniciuam, përfshirë këtu edhe mesazhet që kryeministri Gruevski ia dërgoi kryeministrit Samaras”, shtoi Poposki.

Pa shpresa edhe me Bullgarinë

Nga ana tjetër Poposki lë të kuptohet se nuk pritet ngrohja e marrëdhënieve as me Bullgarinë. Poposki tha se firmosja e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë nuk është parakusht për kultivimin e marrëdhënieve të mira mes të dyja vendeve.  

“Maqedonia nuk është kundër asnjë kornizë që do të përmirësonte marrëdhëniet, por ajo kornizë që do të përmirësonte marrëdhëniet duhet të mbajë llogari për ndjenjat e të dyja palëve në të dy anët e kufirit. Në këtë kontekst ne po bisedojmë për kornizë e cila do të mundësonte perspektivë dhe të ardhme më të mirë drejt integrimit evropian.  Bisedimet e fundit në Sofje shkuan në drejtim të duhur, se edhe në Shkup dhe në Sofje duhet të punojmë për klimë pozitive”, theksoi Poposki.

Edhe pse nuk pranoi të zbardhte pikat kontestuese për të cilat bisedojnë Shkupi dhe Sofja, Poposki tha se të dyja palët kanë rënë dakord që Maqedonia dhe Bullgaria duhet të ndihen komod për të nënshkruar marrëveshjen, të mos ketë qasje ultimative nga asnjëra palë dhe çfarë do që të vendoset të jetë e pranueshme edhe për të dyja vendet. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button