Sulmi ndaj autobusit, 4 të arrestuarit qëlluan nën efektin e drogës

Policia e Gjirokastrës ka ndaluar sot 4 persona të dyshuar për të shtënat me armë ndaj autobusit të linjës Tiranë-Athinë, 2 ditë më parë në Memaliaj.

Burime zyrtare nga policia rajonale bëjnë me dije se janë ndalur  shtetasit Klejdi Tringa 20 vjeç, Besmir Ruçi 23 vjeç, Jurgen Lola 22 vjeç dhe Gentian Beqiraj 29 vjeç, që të katërt nga Memaliaj.

Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 1:00 pas mesnate të datës 27 janar në Mogila të Tepelenës, pjesë e aksit Gjirokastër- Fier, ku 22 pasagjerë të cilët po udhëtonin me autobusin e linjës Tiranë-Athinë janë terrorizuar, kur persona të armatosur i kanë prerë rrugën automjetit me qëllim grabitje. Nga ngjarja e rëndë mbeti i vdekur një 25-vjeçar, pasagjer i autobusit, si dhe u plagos 19-vjeçarja Q. Xhihani. 23-vjeçari Laurent Tabaku ndërroi jetë në spitalin e Fierit, një ditë pas ngjarjes.

Nga hetimet rezultoi se Klajdi Tringa, Besmir Ruci e Jugen Lola të ndihmuar nga Gentian Beqiraj kanë thurur një plan një natë para ngjarjes, në lokalin e fshatit Vasjar. Plani ishte që të grabisnin me armë autobusin e linjës Tiranë-Athinë. Nga hetimet paraprake pas marrjes në pyetje të të rinjve mësohet se nën efektin e hashashit, ata kanë marrë armët dhe kanë tentuar të ndalojnë autobusin që vinte nga Greqia. Pasi kanë dështuar në ndalimin e autobusit, ata kanë qëlluar me breshëri armësh. 

Nga hetimet rezulton se autorët më pas janë larguar me automjet tip Benz në pronësi të Klajdi Tringës, ku gjatë kontrollit iu gjet edhe një sasi kanabis sativa. Katër të rinjtë bënë të ditur se armët e krimit i kanë hedhur në lumin Vjosë dhe aty po kërkohen nga polumbarët.

Policia ka sekuestruar, nën cilësinë e provës materiale 11aparate telefonash celularë, 5.6 gramë lëndë narkotike kanabis sativa, 2 automjete, të përdorur nga të rinjtë gjatë kryerjes së krimit. Shtetasi Gentian Beqiraj akuzohet si bashkëpunëtor me tre të rinjtë e lartpërmendur, dhe mësohet se iu ka siguruar atyre armën, tip automatik, me të cilën qëlluan mbi autobusin./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button