ASIMILIM

Të merresh me zhveshjen në këste të shpirtit të etnisë sot kur kemi dy shtete shqiptare dhe kur prijësit qorra na bindin se jemi më mirë se kurdoherë, do të thotë të orientosh drejt vetvetes përbuzjen e midelinjëve dhe heshtakëve që bëjnë se nuk shohin e nuk dinë gjë rreth këtij tmerri dhe turpi njëkohësisht.

Paradoksalisht, janë shtuar klubet e selanikëve nëpër të cilët për-okollen si miza… dështakët e sistemit diellor shqiptar dhe mashat e sejmenshme të tjetrit, të vendosur t’i luftojnë me fund tiparet identitare, ta bëjnë me çdo kusht qivur racën të cilën Zoti e bëri kësmet për ne.

Këta krijesa hamamesh të cilëve dje s’ua varte kush, duke i konsideruar minoritet brenda minoritetit tonë të madh, sot gëzojnë respektin e turmave pa tru të Nolit dhe bëjnë sehir efektet e predikimeve mbi salltot vetasimiluese, duke na shtyrë më afër fatit të shqiptarëve të Malit të Zi, të cilët, në rajone të caktuara, po boshnjakëzohen njësoj si dje shqiptarrët e Novi Pazarit.

Do të doja që frika ime të ishte një ëndërr e keqe; që varrmihësit tanë të ishin më të paktë në raport me masën e pandërgjegjshme për forcën e saj prej uragani, së cilës i nevojitet vetëm një Promete për ta rilindur nga hiri; që satanizuesit e imazhit kolektiv me kazmat e ngritura kundër vlerave etnike (veçmas ata që përpiqen të zhbëjnë vijat identitare duke manipiluar poshtërsisht me religjionin dhe bindjet e njerëzve ndaj Zotit) do ta pësojnë nga zullumi që do të këputet një ditë prej së trashi.

Do të doja që të tillëve t’u kthehet si boomerang mercenarllëku i turpshëm anti gjuhës, anti simboleve etnike, anti heronjëve dhe personaliteteve emblematike shqiptare, të cilin s’e lanë asnjë shkumbin shqiptar.

Do të doja që ta përjetoj me gjallje momentin kur mashat, hafijet, zuzarët, të tebdilosurit në shpëtimtarë të etnisë dhe shtonat e tyre të frekuantuara prej syve me trahomë, hundëve të zëna, barkqitjeve kronike, prostatave të grisura dhe kalemxhinjëve zgjebarakë, që nuk janë të vetëdijshëm se u bëjnë nderë varrtarëve me aktin e selfijeve të shpeshta bashkas, do ta rimarrin surratin e vërtetë për të mbetur pastaj në kujtesën tonë si një makth torturues dhe fyes për inteligjencën e njerëzve normalë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button