Me sytë nga Britania, emigrantët shqiptarë në brigjet e La Manshit

Aq pranë brigjeve britanike sa ç’mund të afrohen, një grup prej 150 emigrantësh shqiptarë janë pikasur në një kamp të Dieppes në bregun verior të Francës, nga një ekip gazetarësh të stacionit britanik “Channel 4”, të cilët zbuluan se shumica e tyre kërkojnë dëshpërimisht të mbërrijnë në Angli, transmeton TCH.

Pas shkatërrimit të “xhunglës” së Kalesë (Calais) me buldozerë, një numër i madh refugjatësh nisën të zhvendosen në porte të tjera, që shohin për nga bregdeti britanik siç është Dieppe.

Janë me dhjetëra të rinj shqiptarë, – thotë “Dailymail” duke cituar “Channel 4”, – që flenë në tenda e presin mundësinë për t’u hedhur në anën tjetër. Tendat janë vendosur në këmbën e një shpati malor, nga ku ndonjëherë rrokullisen edhe gurë.

I pyetur nga reporteri Paraic O’Brien se çfarë shpreson të gjejë në Britani, një 20-vjeçar i identifikuar vetëm si Landi përgjigjet: asgjë të veçantë!

“Dua të gjej një punë, pas saj të kthehem në shtëpi, të flas me shokët në internet. Asgjë të jashtëzakonshme”.

“Channel 4 News” raporton se trafikantët u kërkojnë refugjatëve të paktën 7.000 paund për t’i kaluar në anën tjetër të La Manshit. Gjatë fundjavës, një gomone me 18 emigrantë shqiptarë, dy nga të cilët fëmijë, u shpëtua nga rojet bregdetare britanike pranë Kentit, pasi kishte nisur të mbushej me ujë. Lidhur me këtë ngjarje, dy britanikë u akuzuan për shkelje të rregullave të emigracionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button