IMAZHE NGA KASABAJA E BARDHË 

Krijimtarinë artistike të mikut tim, piktorit Nevzat Bejtuli – Kicës e kam ndjekur në vazhdimësi. Kam shkruar për pikturat e tij, pa e ngarkuar qasjen time me ndonjë diskurs prej teoricieni të artit. Kam shkruar për artin e tij si artist dhe jo si studiues. S’kam mundur që të shkruaj me gjuhë të ftohtë, racionale, por me një gjuhë simbolike, të figurshme, duke krijuar njëfarë palimpsesti, i lindur si frymëzim i asaj që kam përjetuar duke shijuar estetikisht veprat pamore të piktorit Kica, i cili ka krijuar disa cikle pikturash, që duken si të ndryshme e megjithatë kudo ndjehet bota e tij, ndjeshmëria dhe individualiteti i tij krijues. Ose, ta themi ndryshe, artisti gjatë gjithë jetës e krijon veprën e njëjtë, në forma të ndryshme, nëpërmjet të njëjtit shpirt krijues.

Në shumë raste, në pikturën e tij ekspresioniste, “lexojmë” legjenda e mite. “Lexojmë” jo historinë e shkruar, por të përjetuar. Jo atë objektive, por subjektive. Kjo haset edhe në ciklin për kuajt, kalorësit dhe dervishët.

Në pikturat, t’i quajmë kushtimisht, të zeza, piktori, me pak vija e detaje, thotë shumë, e kjo sikur na kujton legjendën me piktorin e lashtë, që me disa vija arriti të vizatonte gaforren më të përsosur, por pas një kërkimi të gjatë disavjeçar…

Në ekspozitën e tij të fundit Kica vjen me cikël të ri pikturash. Ekspozitën pëlqen ta konsiderojë si ftesë diskutimi për artin e tij.

Në këtë ekspozitë ai sjell imazhe të humbura nga Tetova, të rikthyera si vepra arti. Është njëfarë kronike artistike nga Tetova tjetër apo nga kasabaja e bardhë. Një kronikë me imazhe monumentesh të shumta kulturore, por edhe me imazhe rrugësh e ndërtesash që nuk janë më.

Kica na nxit që të meditojmë për gjërat e humbura, por të bukura, që nuk i kap më shikimi ynë, por po i ikin edhe kujtesës sonë.

Pikturat e tij janë ekspresioniste. Kica është piktor ekspresionist. Ekspresionizmi, për shkak të përjetimit të thellë, e paraqet botën disi të deformuar. Kica e pëlqen edhe eksperimentimin artistik, i cili është pasurues për artin dhe artistin.

Cikli më i ri i tij lidhet me qytetin, jo si vend, por si imazh, si nostalgji, si kujtesë, si përjetim, si dhembje.

Krijimi i qyteteve, zakonisht, ndërlidhet me ndonjë legjendë apo mit, madje me disa prej tyre. Tetova nuk bën përjashtim. Sipas një legjende emri i saj do të thotë “mburojë e shpuar”, sipas një tjetre lidhet me “tetë hove”. Mundet asgjë të mos jetë të vërtetë. Njeriu shpiku legjenda për ta lidhur një vendbanim jo vetëm me tokën, por edhe me qiellin. Jo vetëm me kohën kronologjike, por edhe atë mitike, sakrale. Të dy legjendat dhe të tjera si ato lidhen me rezistencën. Qyteteve që u ka munguar rezistenca sot janë gërmadha. Janë nën dhé duke pritur dorën e arkeologut.

Qytetet kanë shpirtin, artin dhe historinë e tyre të pashkruar. Historia e pashkruar lind shumë rrëfime të bukura, që trazojnë botën e artistit. Artistit i lejohet të imagjinojë, të sajojë. Kica jo vetëm sajon, por edhe na rikthen imazhet e një bote të bukur, që ka ekzistuar jashtë nesh, e tani gjendet diku në rrënojat e shpirtit tonë. Artisti me kreativitetin dhe imagjinatën e tij i ringjall dhe na sjell në formë veprash arti. Ai këtë botë të humbur ja sjell kohës sonë, si imazh, si nostalgji, si prehje, si përjetim.

Kjo ekspozitë sikur na kujton se qyteti humbet pa dimensionin kulturor. Pa gjeninë krijues ose pa respektimin e artit të tij mbetet vetëm vend. Pra vetëm “locus” dhe jo “imagines”…

Kica është piktor me botë të pasur të brendshme. Ai është artist ngulmues. Thellësisht human. I përket botës së artit dhe e shikon botën tonë jo me syze ideologjike, por me shqisë prej artisti. Kica ka dhe shumëçka të bukur për t’i dhënë botës së artit…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button