Pirovska: Mediat në Maqedoni stigmatizojnë refugjatët për shkak të fesë

Mediat në Maqedoni kanë dështuar të informojnë drejtë mbi krizën me refugjatët, ndërsa ka pasur raste kur mediat kanë stigmatizuar refugjatët vetëm nga shkaku i religjionit të tyre dhe ngjyrës së lëkurës, ishte ky njëri nga konstatimet në debatin e sotëm me temë “Mediat dhe kriza e refugjatëve: Kush dhe pse i harruan të harruarit në Republikën e Maqedonisë?, raporton Anadolu Agency (AA).

Gazetari Muhamed Zekiri, tha se ky debat paraqet një vështrim për punën e mediave rreth krizës së refugjatëve, të cilat i akuzoi se raportojnë kryesisht për masat e sigurisë në shtet nga njëra anë dhe vetëm sipërfaqësisht për problemet reale të refugjatëve.

Uranija Pirovska nga Komiteti i Helsinkit tha në fjalimin e saj se mediat dështuan të raportojnë drejtë sepse informimi i tyre bëhej në mënyrë sensacionale ose duke stigmatizuar refugjatët në Gjevgjeli dhe Kumanovë.

“Kur hyra në restorant me një fëmijë sirian, pronari i atij restoranti në Gjevgjeli na urdhëroi të dalim jashtë sepse refugjatët nuk lejoheshin të hyjnë brenda. Edhe pse kishin shkruar për rastin, asnjë medium në Maqedoni nuk raportoi për ksenofobinë”, tha ajo për të shtuar se ksenofobia dhe diskriminimi i refugjatëve bëhet nga fakti se i takojnë një tjetër religjioni dhe se nuk janë të bardhë.

“I tëri ky stigmatizim është bërë nga këto arsye. Mediat kryesore, akoma më shumë i fusnin benzinë zjarrit. Jeni dëshmitarë të shkrimeve në të cilat refugjatët në Gjermani akuzohen për dhunime, flitet se bëhet fjalë për një dyndje me qëllim që të okupohet Evropa, të okupohet Krishterimi” tha Pirovska. Sipas saj njerëzit të cilët janë përgjegjës për trajtimin e refugjatëve nëpër kampe kanë rënë preh e këtyre dezinformacioneve, pasi siç thotë refugjatët shpeshherë janë ankuar për trajtim jo të mirë nga policia.

Svetlana Anttiq Jovçevska, problemin kryesor të mungesës së informacioneve e shikon tek mungesa e gazetarëve nga terreni, sepse siç tha asnjë televizion nacional që është në Shkup nuk ka korrespodent në Kumanovë i cili ndjek rregullisht zhvillimet me refugjatët.

“Është e paimagjinueshme që një gazetarë të vijë nga Shkupi dhe për çdo ditë të parashtrojë kërkesë në polici për të marrë leje për incizim në terren afër kufirit”, tha Jovçevska, e cila problemin ia adresoi shtetit.

Debati i sotëm u organizua nga Fondacioni Shoqëri e Hapur dhe paraqiste një vështrim mbi diskutimin nëse mediat në Maqedoni kanë informuar në mënyrë të drejtë për krizën e refugjatëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button