VDEKJA E VALTERIT

Filozofi i njohur slloven, Slavoj Zhizhek-u, i cili nuk është ndër të preferuarit e mi, por pa dyshim është mendje kreative dhe erudite, thotë se nuk i honeps poetët dhe në përgjithësi e injoron letërsinë. Atij i pëlqen qasja Platonit, sipas të cilit poetët duhej të dëboheshin nga qyteti.

Zhizhek, në njëfarë mënyre, është kundër inkuadrimit të poetëve në udhëheqjen e punëve publike.

Ata që merren me letërsi gjithsesi se nuk pajtohen. Por Zhizhek pëlqen ta theksojë këtë qasje kur flet për ndikimin e poetëve nacionalë serbë në formatimin e një politike gjenocidale.

Poetët serbë, duke menduar se ndikonin në politikë, u keqpërdorën nga politika, e cila luftën për pushtet dhe për kauzën panserbe e gërshetoi me mitin që e kishin krijuar poetët për “popullin qiellor”.

Sipas Platonit, kemi njerëz që fantazojnë për gjëra të liga dhe ata që i bëjnë gjërat e liga. Poetët serbë i fantazuan gjërat e liga, në emër qëllimesh të larta, jo vetëm tokësore, por edhe qiellore, kurse fantazitë e tyre i realizuan politikanët, që projektuan gjenocidin.

Sigurisht, qasja e Zhizhek-ut apo e Platonit është e padrejtë, për sa kohë ka pasur aq shumë poetë që iu kundërvunë të keqes, madje duke e paguar me kokën e tyre, bile disa u dëshmuan edhe si burrështetas të zotë, por nëse e reduktojmë në atë që bënë poetët serbë, atëherë duhet t’i japim të drejtë Platonit dhe Zhizhekut. Poezitë e shumë poetëve serbë sikurse të Nogo, Karaxhiq,  Beçkoviq etj., gjëmonin si topat dhe nuk ishin “armë e mbushur me të nesërme”, siç thotë Gabriel Selaja, por njëfarë droge për ata që vrisnin. Histerisë së këtillë iu bashkëngjitën edhe shumë artistë: piktorë, kompozitorë, këngëtarë, regjisorë e aktorë. E njëri prej tyre ishte edhe aktori Bata Zhivojinoviqi, një duartrokitës i Millosheviqit, që vdiq para disa ditësh, të cilin e mbajmë mend si njëfarë Rambo të filmave jugosllavë. Nën petkun e partizanit ai vriste nazistët që bënin masakra. Xhaxhi Bata, në film, përherë ishte fituesi, ishte i miri, ishte i fismi, ishte shpëtimtari. Në secilin film ku shfaqej Xhaxhi Bata, si supermen, të ligët ose dorëzoheshin ose vriteshin. Po vrasjet në film nuk ishin prej së vërteti. Më vonë Xhaxhi Bata nuk aktronte. Ai nuk vriste të këqijtë si në film, por i përkrahte vrasësit e vërtetë. E në mesin e të vrarëve kishte adhurues të Xhaxhit Bata, i cili u jepte kurajë vrasësve të adhuruesve të tij të dikurshëm.

Derisa Xhaxhi Bata xhironte komedi në Pale, pranë ndodhte tragjedia njerëzore. Pranë vdiste urie edhe regjisori Shiba Hajrudin Krvavac, që e kishte bërë të njohur si aktor. Shiba nuk deshi ta braktiste popullin e tij, i cili sulmohej nga vendi ku Bata xhironte komedi. Ishte koha kur poeti boshnjak, Izet Sarajliqi, shkruante nën kushte terrori një përmbledhje lufte, ku e kishte përfshirë dhe poezinë “Shiba”:  “S’e marrim me mend/ me sa njerëz të dashur/ nuk do shihemi më./ Njëri ndër ta është Shiba./ Vdekja s’do ta lëndojë aktorin e dikurshëm Bata Zhivojinoviq/ që u bë lavdishëm/ me filmat e tij./ E Shiba/ siç ishte boshnjakisht dhe pafundësisht i mirë,/ sa të përfundonte lufta,/ në rastin e parë,/ do t’i ndante rol./ Këtë herë/ assesi rol pozitiv./ Heroi pozitiv/ Bata Zhivojinoviq/ kaherë e ka varrosur veten në vetvete”…

Xhaxhi Bata u varros me nderime të mëdha. U varros “Valteri i famshëm” që në film e mbronte Sarajevën e në realitet qëndronte përkrah njëfarë poeti me emrin Radovan Karaxhiq, që jepte urdhra të shkatërrohej qyteti, që xhaxhit Bata i kishte falur vetëm dashuri.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button