Mbrëmja e çmimeve Grammy

Jay-Z, Pharrell Williams e Macklemore dhe Lewis janë në mesin e yjeve pretendentë për triumf në mbrëmjen e çmimeve Grammy. Ceremonia e mbajtur në Los Angeles është më e madhja e kalendarit të muzikës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjigandi i rap-it, Jay-Z, kryeson me 9 nominime, ylli i pop-it Williams dhe duoja e hip-hopit Macklemore dhe Lewis kanë nga shtatë secili. Lista e të nominuarve britanikë përfshin Ed Sheeran, James Blake dhe Sir Paul McCartney, i cili do të performojë në event.

Ceremonia e  çmimeve Grammy njihet për bashkëpunimet e fuqishme në skenë dhe momentet kulmore të këtij viti përfshijnë Daft Punk, Nile Rodgers dhe Pharrell Williams në krah të Stevie Wonder për të intepretuar hiti-n e tyre, Get Lucky.

Jay-Z nga ana tjetër do të ketë një duet me të shoqen, Beyonce. Edhe pse ka numrin më të madh të nominimeve me pretendimin për çmime që përfshijnë këngën dhe albumin më të mirë rap, ai mbeti jashtë tre kategorive kryesore: kënga, regjistrimi dhe albumi më i mirë i vitit.

Në një situatë të ngjashme gjendet dhe Justin Timberlake me 7 nominime, përfshirë performancën më të mirë solo pop dhe këngën më të mirë R&B, por edhe ai i përjashtuar nga tre kategoritë e mëdha.

Rikthehen në vëmendje disa emra legjendarë si Rolling Stones që do të garojnë me Paul McCartney në kategorinë e këngës më të mirë rock, apo David Bowie dhe veteranet Led Zeppelin, të nominuar falë një albumi live të regjistruar gjatë koncertit të bashkimit në vitin 2007.

Duke Dumont dhe Disclosure janë emrat që kryesojnë kategorinë dance, ndërsa atë të kolonës më të mirë zanore të një filmi duket se e ka mbërthyer tema e James Bond-it, Skyfall, e interpretuar nga Adele. /Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button