Lufta kundër korrupsionit, Rama mbledh krerët e institucioneve të pavarura (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama është takuar me krerët e institucioneve të pavarura në vend. Mësohet kryeministri shoqërohet nga Koordinatori kundër Korrupsionit, Bledi Çuçi. 

Në këtë takim morën pjesë Prokurori i Përgjithshëm, Llalla, drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Ajazi Lika, kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Lfeteri Lleshi, Inspektorja e Përgjithshme e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave, Zana Xhuka, si dhe Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa. 

Në këtë takim u diskutua mbi forcimin e urave të bashkëpunimit mes institucioneve ligjzbatuese dhe Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit.

Kryeministri Rama kërkoi një bashkëpunim më të madh mes institucioneve, sidomos në shkëmbimin të informacionit. Ai shtoi më tej se në këtë mënyrë rritet edhe mundësia për të ndëshkuar rastet e korrupsionit dhe ndëshkimin e zyrtarëve të çfarëdo niveli.

Ndërsa Koordinatori kundër Korrupsionit kërkoi që, qeveria së bashku me institucionet e pavarura duhet të ndërmarrin veprime për të adresuar probleme kyçe të axhendës evropiane, me qëllim anëtarësimin e afërt në BE.

 “Ka vend për bashkëpunim të ngushtë të të gjithë aktorëve, por gjithsecili duke mbajtur pozicionin e tij të pavarur e kushtetues”, u shpreh Koordinatori Kombëtar kundër Korrupsionit, Çuçi.

Ky i fundi gjithashtu kërkoi marrëdhënie midis institucionit që ai drejton dhe institucioneve të pavarura, në mënyrë që të rritet efikasiteti i luftës kundër korrupsionit.

Në takim u ra dakord mbi ngritjen e bashkëpunimit, si dhe ndërmarrjen e një serie veprimesh konkrete dhe për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin në Shqipëri./ Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button