PARAPOLITIKA

Para do ditësh, para 9 Majit, të pagëzuarës si Dita D, u liferua një kumtesë partiake në të cilën protesta e njërave nga lëvizjet, partitë politike më të reja në Maqedoni u cilësua me atributin si parapolitike, me emërtuesin parapolitikë. Në fakt, të gjithë e dimë se çfarë është politika, por një neologjizëm për kulturën politike shqiptare na shtyri që të gërmojmë në literaturën e shkencave politike dhe të analizave të ndryshme sociologjike e të antropologjisë politike. Konotacioni në të cilin u përdor ishte ai negativ, në kuptimin e një faktori sipolitik, pseudo-politik, në kuptim të një subjekti që ende s’ka hyrë siç duhet në politikë e të ngjashme, që s’e njeh politikën por bën një politikë foshnjore.

Të shohim se si autoritete të lëmës e zbërthejnë këtë koncept. Raghavan Iyer, autor i termit, parapolitikën e cilëson si metodë të rimendimit të kufijve të parimeve, sistemeve dhe çështjeve politike. Ai i referohet një sistemi të integruar, ku iniciativat kryqëzohen në mënyrë dialektike për të krijuar një tërësi frytdhënëse. Qasja e tij është e afërt me teorinë sociologjike të funksionalizmit, sipas të cilit çdo sistem shoqëror/politik e rregullon vetëveten. Sipas magazinës britanike Notes from the Borderland parapolitika i referohet realitetit social të forcave kundërshtuese dhe agjendave të tyre të fshehta. Peter Dale Scott është hulumtuesi i parë që këtë term e ka ndërlidhur me operacionet e mbuluara të fuqive dhe agjencioneve shtetërore të fshehta, siç janë shërbimet e sigurimit dhe aletatët e tyre nga grupet paramilitare. Pra, Scott e përdor këtë term si një aspekt të “politikës së thellë”. Urban dictionary e përshkruan parapolitikën si hile, punë të fshehta dhe mashtrim.

Lawrence Lipton nga Universiteti i Wellingtonit lidhur me parapolitikën thotë se është aksion që parasheh mënyrën e jetesës së popullit të ri, të vetëdijes së zgjeruar transhendentale, të ndjenjës së hyjnitetit, është politikë e jodhunës, politikë e dashurisë. Është antipod i politikës së forcës, që ka parasysh interesat e njeriut, nevojat, të drejtat dhe shëndetin shpirtëror të njeriut. Parapolitika është kundër fuqive vendimmarrëse që shpien kah shoqëria e orientuar kah vdekja. Parapolitika që në fakt është politikë e shpirtit (politics of soul), përkundër saj ajo shtyn përpara nj shoqëri jetëdhënëse, kënaqësidhënëse, dashurifalëse, mendje-zgjeruese, që është shumë e ndryshme nga matrica e shoqërisë së vjetër.

Një tekst i rëndësishëm në këtë drejtim për të interesuarit e fushës është ai i redaktuar nga Eric Wilson, “Dual State: The Dual State: Parapolitics, Carl Schmitt and the National Security Complex” (Shteti i dyfishtë: Parapolitika, Carl Schmitti dhe Kompleksi i Sigurisë kombëtare), botuar në vitin 2012 nga Routledge. Në këtë vepër flitet për dy shtetet, për atë publik (public state) dhe për shtetin e thellë (deep state), për atë se përderisa shkenca politike flet për shtetin publik, parapolitika, e cila është një perspektivë e kritikës radikale nominaliste të studimeve politike konvencionale, i analizon raportet mes shtetit publik dhe proceseve politike përtej politikës konvencionale, parashtetet, agjencitë sekrete, mafian etj. Parapolitika shtron një skepticizëm ndaj koherencës së pikëpamjes ortodokse liberale për shtetin. (Wilson, 2)

Konstatojmë se ky term që më herët ka filluar të përdoret në vitet 1930 në American Political Science Review është polisemik, shumëkuptimësh, andaj duhet analizuar mirë, kryq e tërthor para se të përdoret sepse shfrytëzimi i termave sa për jehonë mediatike në opinionin publik dhe për përçmim të tjetrit, oponentit, flet për nivelin e kulturës politike të një subjekti politik. Kjo në veçanti vlen të theksohet për një entitet që pretendon se është ‘akademi politike’, me një bagazh me peshë politike. Pjesëtarët e asaj akademie mes tjerash duhet të mbajnë pranë vetes edhe fjalorët, enciklopeditë, leksikonët, librat bazikë të shkencës politike, dhe kuadro të diplomuara për shkecat politike, që dinë t’i detektojnë edhe elaborojnë fenomenet. Është fakt i mirë që edhe lëvizja e shënjestruar qëndron afër me një OJQ që ndërvepron me diskursin e një akademie politike, me një institucion që organizon debate për tema të  ndryshme (mes tjerash edhe politike) me figura relevante të jetës publike shqiptare gjithandej. Koha do të tregojë se kush është parapolitik e kush politik, kush politikë të mirëfilltë e kush dredhipolitikë, kush bën politikë të interesave parciale e kush të atyre kolektive!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button