Ndahet nga jeta Nelson Mandela, presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut

Ndërron jetë në moshën 95-vjeçare Nelson Mandela, udhëheqësi i luftës kundër apartejdit dhe presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut. Mandela kaloi 27 vjet në burg duke vuajtur dënimin për rolin e tij për t’i dhënë fund sundimit të pakicës së bardhë dhe diskriminimit kundër zezakëve në Afrikën e Jugut.

Pas lirimit, ai u shndërrua në symbol të paqes dhe ripajtimit dhe u nderua me Çmimin Nobel të Paqes në 1993. Një vit më pas ai u bë president i Afrikës së Jugut.

Presidenti i Afrikës së Jugut Jacob Zuma njoftoi vdekjen e simbolit të luftës kundër apartejdit, në një fjalim solemn mbrëmë, që përçoi valë keqardhjeje në të gjithë botën. Ai do të mbetet në kujtesën e njerëzve si udhëheqësi që drejtoi lëvizjen kundër regjimit racist dhe u vu në krye të një vendi të rilindur, energjik e demokratik që sot njihet si Toka e Ylberit.

Lajmi i vdekjes nuk ishte krejt i papritur, pasi Mandela ka pasur probleme të shumta shëndetësore gjatë këtij viti, si dhe duke pasur parasysh jetën e rëndë e stresuese që kishte kaluar udhëheqësi 95 vjeçar.

Nelson Mandela ishte një i ri agjitator dhe udhëheqës i Kongresit Kombëtar Afrikan, të nxjerrë jashtë ligji nga autoritetet, i cili i kundërvihej regjimit racist, të drejtuar nga pakica e bardhë. Zoti Mandela udhëhoqi krahun e armatosur të organizatës dhe si rezultat u ndëshkua me burgim për 27 vjet. Në atë kohë ai dhe atdheu i tij po përjetonin periudhën më të errët.

Por Mandela karizmatik arriti të ruante vendosmërinë e tij dhe të udhëhiqte luftën nga burgu. Përpjekjet e tij u kurorëzuan me sukses, pas rrëzimit të apartejdit dhe zgjedhjes së tij si presidenti i parë zezak i vendit në zgjedhjet e para gjithë-përfshirëse në 1994.
Megjithëse shërbeu vetëm për një mandat si president, ai do të kujtohet për betejën që udhëhoqi, për rolin e tij si aktivist, drejtues, burrë shteti dhe simbol paqeje.

Detyra e rëndë për të informuar vendin për vdekjen e Mandelës i ra Presidentit Jacob Zuma, një udhëheqës i njohur për humor të mirë dhe natyrë të hareshme, i cili dje nuk e fshihte dot dhimbjen për humbjen e atij që shumë afrikano-jugorë e konsiderojnë si babai i kombit.
“Sot kemi në mendimet tona ata njerëz në mbarë botën që e përqafuan Mandelën sikur të ishte pjesë e kombeve të tyre dhe që iu bashkuan kauzës së tij si të ishte kauza e tyre. Kombi ynë ka humbur birin e tij më të mirë. Por ajo që e dallonte më së shumti Mandelën, është gjithashtu cilësia që e bënte më njerëzor. Ne gjenim tek ai atë që kërkonim tek vetja, ne shihnim tek ai aq shumë nga ato që kishim brenda vetes tha ai”.

Lajme të ngjashme

Back to top button