Januzaj përsëri refuzoi Shqipërinë

Abedin Januzaj, babai i talentit Adnan Januzaj, ka injoruar sërish thirrjet e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për të organizuar një takim.

Gjatë këtyre ditëve ka qenë i angazhuar intensivisht përgjegjësi i zyrës së talenteve në FSHF, Redi Jupi, i cili është përpjekur të organizojë një takim me familjarët e mesfushorit të Manchester Unitedit, por babai i lojtarit është treguar shumë i ftohtë, raporton ‘Panorama Sport’.

Burime pranë FSHF-së bënë të ditur se Abedin Januzaj nuk ka kthyer asnjëherë një përgjigje konkrete dhe të saktë për kohën e takimit dhe vendin. Por, ç’është më e keqja, ai ka qenë gjithnjë evaziv duke lënë të kuptohet se për momentin Shqipëria nuk është në planet aktuale të familjes Januzaj.

Jupi ka insistuar vazhdimisht që të organizohet një takim ku mund të qartësoheshin shumë gjëra, pasi kështu edhe Januzaj do të kishte idenë se çfarë projekti ka FSHF-ja për të ardhmen e Kombëtares me Januzajn në ekip dhe ndërkohë vetë lojtari do të ishte më i qartë për atë që e pret në rast se dëshiron të vishet kuqezi.

Ndërkohë, pak javë më parë ishte trajneri Gianni De Biasi i dërgoi mesazh babait të Januzajt, duke ia shkruar atë në tri gjuhë (me qëllim që të mos ankohej se nuk e kishte kuptuar) dhe i kërkoi një takim. Megjithatë, ky i fundit heshti dhe nuk ktheu asnjë përgjigje.

Trajneri italian i kuqezinjve e ka vlerësuar gjithnjë maksimalisht talentin e Unitedit dhe ka thënë se do të ishte shumë i lumtur nëse ai do të luante për Shqipërinë.

Ndërkohë, përpjekje për ta angazhuar Januzajn ka shfaqur edhe përfaqësuesja e Belgjikës, e cila po mendon ta ftoj në ekip për Kampionatin botëror, që mbahet vitin e ardhshëm në Brazil.

Lajme të ngjashme

Back to top button