Most, qeveria nuk është transparente për punën e saj

Qeveria e Maqedonisë renditet e fundit ndër qeveritë e rajonit për sa i përket transparencës së punës, ndërkohë që nga ana tjetër, është e para nga përdorimi i teknologjive të komunikimit me qytetarët. Kështu tregojnë të dhënat nga monitorimi i ueb faqeve të qeverive dhe ministrive në kuadër të projektit rajonal ku u përfshinë Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Në ueb faqen e qeverisë mungojnë të dhënat për buxhetin, qasjen e lirë të informatave dhe pjesëmarrja e palëve të interesuara në hartimin e politikave.

“Sa iu përket ueb faqeve të qeverive, sipas rezultateve nga hulumtimi, në vendin e parë është qeveria e Malit të Zi me 52,8% ndërsa qeveria e Maqedonisë është në vendin e 4 me 36 % të realizmit të indikatorëve. Ky vlerësim vjen si rezultat i mungesës së të dhënave në ueb faqen e qeverisë për buxhetin, qasjen e lirë tek informatat dhe pjesëmarrjen e palëve të interesuara në krijimin e politikave. Në këto fusha, për fat të keq nuk është plotësuar asnjë indikator. Megjithatë ueb faqja e qeverisë së Maqedonisë kryeson në shfrytëzimin e teknologjive të reja në komunikimin me qytetarët,  ku përqindja është 62,5%”, tha Darko Aleksov, drejtor i Asociacionit ‘Most’.

Sa i përket ministrive, ato radhiten në vendin e tretë në rajon pas Malit të Zi dhe Serbisë,  me gjithë rezultatet e shënuara në disa fusha të monitoruara. Në përgjithësi, ministritë nuk kanë publikuar të dhëna nga fusha e transparencës buxhetore përveç asaj të Shëndetësisë, e cila është e vetmja që ka publikuar buxhetin për vitin 2013. Po ashtu, asnjë ministri nuk ka publikuar ndonjë listë për kërkesat lidhur me qasjen e lirë të informatave dhe as statistika për numrin e kërkesave të pranuara apo të refuzuara.

“Sa i përket rezultateve të përgjithshme, 5 ministri kanë rezultat më të lartë prej 33,3%,  ministria e Transportit dhe Lidhjeve, Shëndetësisë, Ambientit Jetësor, Punëve të Jashtme dhe Financave. Realizim më të dobët ka ministria e Pushtetit Lokal me 20% të plotësimit të indikatorëve të hulumtimit tonë. Këto rezultate bëjnë që ueb-faqet e ministrive të  Maqedonisë të radhiten  në vendin e tretë në rajon me 27,1%, përkatësisht pas Malit të Zi dhe Serbisë”, u shpreh Darko Aleksov, drejtor i Asociacionit ‘Most’.
 
Për të ndihmuar në rritjen e transparencës së punës së institucioneve, asociacioni qytetar ‘MOST’ si pjesë e këtij projekti rajonal, rekomandon unifikimin e pamjes dhe përmbajtjeve të ueb faqeve të ministrive, përmes një rregulloreje, si dhe qeveria të publikojë në ueb faqe informata për seancat e mbajtura. Po ashtu ministrive u rekomandohet që të publikojnë planet dhe raportet e punës së tyre, informatat mbi furnizimet publike, buxhetin dhe llogaritë përfundimtare, raportet për zbatimin e ligjit për qasje të lirë tek informatat si dhe informata në lidhje me diskutimet publike.

Lajme të ngjashme

Back to top button