Ahmeti në Osllo, çka mund të ndihmojë Norvegjia?

Në prag të samitit të dhjetorit, kur pritet përgjigje negative për fillimin e bisedimeve me BE-në, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përfunduar vizitën e tij në Osllo të Norvegjisë.

Ahmeti është takuar me drejtuesit e Ministrive të Punëve të Jashtme të Danimarkës dhe Suedisë për Politika Evropiane dhe Ballkanin Perëndimor, Michael Suhr dhe Ola Svenningsson.

Kjo vizitë paraqet vazhdimësi të përpjekjeve të Kryetarit Ahmeti dhe të Bashkimit Demokratik për Integrim për ta ndihmuar integrimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtar.

Edhe në takimet përmbyllëse, Kryetari Ahmeti theksoi rëndësinë prioritare të procesit integrues EuroAtlantik të vendit tonë dhe rrumbullakimit të investimit të përbashkët në paqen, stabilitetin dhe sigurinë në vend dhe në rajon me integrimin në Bruksel.

Çdo vonesë drejt realizimit të këtij synimi sjell vështirësi për vendin si dhe për avancimin e të arriturave të përbashkëta në dekadën e fundit. Komuniteti ndërkombëtar dhe vendet anëtare të NATO-së dhe të Bashkimit Evropian duhet të kyçen në lehtësimin e zgjidhjes së kontestit me Greqinë që po mban peng proceset tona integruese.

Kryetari Ahmeti nënvizoi se nuk ka asnjë dyshim se vendet Skandinave mbështesin politikat e NATO-së dhe të Bashkimit Evropian dhe ftoi autoritetet e këtyre vendeve që të ndihmojnë drejtpërdrejt në përmbylljen e suksesshme të procesit që udhëhiqet nga ndërmjetësi i OKB për çështjen e emrit, Metju Nimic.

E ardhmja e Maqedonisë, por edhe e tërë rajonit, është anëtarësimi i plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe ky synim paraqet prioritet programor dhe strategjik të Bashkimit Demokratik për Integrim, por edhe në përgjithësi të të gjithë qytetarëve dhe partive politike në vend.

Të gjithë bashkëbiseduesit siguruan Ahmetin  për mbështetjen e tyre pa rezervë për perspektivat EuroAtlantike të Maqedonisë dhe se vlerësojnë përpjekjet e tij për ta ndihmuar vendin në realizimin e këtij objektivi të rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të tërë rajonit.

Lajme të ngjashme

Back to top button