Adem Demaçi – disidenti që rrënoi monizmin titist

Fenomeni i disidencës ka qenë prezent në të gjitha epokat historike. Por disidencën e mirëfilltë e gjeneroi regjimi komunist i shekullit të kaluar dhe nënproduktet e tij: stalinizmi, maoizmi, titizmi dhe izmat e tjerë që dalloheshin vetëm për nga niveli i egërsisë së manifestuar ndaj frymës prometeane dhe ndaj mendimit ndryshe, veçmas ndaj mendimit të shkruar të krijuesve që nuk i duronin dogmat dhe nuk ishin pjesë e rapsodëve obortarë.

Sistemi në fjalë prodhoi rebelë letrarë edhe në mesin e krijuesve shqiptarë të mbetur në pjesën e aneksuar të atdheut, ndër të cilët më i njohur është Adem Demaçi – autori i romaneve, dramave, tregimeve dhe poezive me tituj sugjestivë, si: “Gjarpijtë e gjakut”, “Libër për Vet Mohimin”, “Shkrumbnajë e dashur”, “Alb Prometeu” etj.

*

Të shtypur gjithanshëm në aspektin e të drejtave qytetare dhe etnike, të ndarë nga rrjedha e zhvillimeve normale kulturore dhe të mbetur nën hijenat sllave, për të cilët Konica thoshte se nuk duan t’na mundin, po t’na zhbëjnë, krijuesit e paktë të Kosovës nuk i patën as kushtet më minimale për t’iu përkushtuar pasionit të tyre. U desh të pritet dalja në skenën letrare e Esad Mekulit, i cili, në stinën e inkuizicionit rankoviqian, u vu në kërkim të udhëve të ngritjes së institucioneve kulturore, që rritën më pas krijuesit e kalibrit të Anton Pashkut, Ali Podrimjes, Azem Shkrelit, Rexhep Qosjes…, që, në një periudhë të shkurtë historike…, u dalluan në sferën e poezisë, dramës dhe të kritikës letrare.

Në kohën kur Demaçi sfidoi estetikën bolshevike me disidentizmin atipik, ishin të shumtë krijuesit që tuteshin t’ia përmendin emrin dhe veprën e anatemuar letrare, e cila u hoq nga raftet e bibliotekave dhe librarive për aq kohë sa u dergj autori i saj burgjeve sllave. Megjithatë, edhe përkundër diabolizimit gati gjysëmshekullor të personalitetit dhe veprës letrare, ai mbeti autoriteti më i pacënueshëm i një kulture, kurse vepra e tij shëtiste tinëzisht nëpër duart e lexuesve dhe, tamam si një rigë e vogël dhe e pafajshme uji, gërryente pandalshëm sistemin e mendësisë së hurit e të litarit.

*

Mjerisht, edhe përkundër të dhënës se me prozën e tij narrative sfidoi më fuqishëm se cilido krijues ngrehinën komuniste jugosllave, veprës letrare të Demaçit nuk i është kushtuar vëmendja e merituar në studimet e gjertanishme dhe, për pasojë, ajo nuk e ka zënë akoma vendin e merituar në shkallët e kierarkisë së vlerave estetike.

Kjo sepse Adem Demaçit disident letrar i hyri shumë në hak Adem Demaçi veprimtar dhe i burgosur politik, Adem Demaçi tribun popullor, i përjetuar prej bashkëkombasve parasëgjithash si vazhdimësi e heronjëve të së shkuarës, si zgjatim Mic Sokolësh, Isë Boletinësh e Shaban Poilluzhësh.

Jo rastësisht bota e njeh vetëm si Mandela i Ballkanit, në një kohë kur njëkohësisht ai meriton të rradhitet edhe ndër disidentët më të shquar letrarë të Evropës, aty ku janë Shollzenjicini dhe Haveli, aq më tepër kur Demaçi është disident i shumëfishtë, që rrefuzoi çdo rrethanë lehtësuese për zbutjen e dënimeve të njëpasnjëshme. Disidenca e tij e përsëritur që u shpreh me një vepër konkrete arti, që u bë mjeti i luftës kundër sajesës antishqiptare, me veprën e zhveshur qëllimshëm nga dykuptimësitë, nëpërmjet së cilës i shpalli luftë diktaturës së sofistikuar titiste që ndrydhi të drejtat tona qytetare dhe etnike.

Demaçi shkrimtar dhe Demaçi veprimtar politik, kanë qenë prore të shkrirë në një qenie të vetme, me rrugë qartësisht të përcaktuar nga atdhedashuria e mbjellur prej nënës trimëreshë, nga ligjëratat e mësuesve dhe profesorëve largpamës, nga shoqërimi me korifej letërsie si Danillo Kishi (që kishte baba hungarez e nënë malazeze nga fisi shqiptar i Kuqëve),  nga bëmat heroike të Shaban Polluzhës, nga imazhet e llahtarshme të krimeve të partizanëve sllavë, nga bashkim-vellazërimi i shpifur, nga truket e pushtetarëve serbë dhe mashave të tyre shqipfolëse që tentonion t’ia zbusin dënimin me burg për t’ia dhënë kësisoj një dënim të përjetshëm nga populli që nuk do ta mësonte kurrë të vërtetën e tij, nga lotët e mësueses e cila nuk mund t’i përgjigjej pyetjes së tij përse shqipja nnuk ishte gjuhë zyrtyare në Kosovë, nga skenat gjenocidiste të shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi, nga krimet e pandalshme të persekutorëve tanë, nga ndjekjet e hafijeve të komunizmit, nga propagandat e serbe për një letërsi shqipe që në Kosovë duhej të nisë nga e para etj.

Thënë shkurt: Adem Demaçi është shkrimtari i parë që shkruan e flet shtruar për Shqipërinë shtet evropian me kufijtë e saj të natyrshëm. Ai nuk e fshëhu kurrë aspiratën rilindëse për bashkim, dëshirën e shqiptarëve për të jetuar të lirë në tokat e tyre, ndaj e la të hapur mundësine e revidimit të padrejtësive të fuqive të mëdha ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Sendërtimin e ëndrrave të tij liridashëse ai nuk e kërkoi duke ndejtur këmbëkryq në kabinete akademishë e institutesh, duke e portretuar të keqen me metafora, po me të vërtetat e kërbaçëve të provuar mbi lëkurën personale.

Në rrugëtimin e tij prej golgote Demaçi nuk i akuzoi kurrë ata që, për arsye të ndryshme, nuk e ndiqën pas, sepse nuk deshi t’ua imponojë udhën e tij atyre që nuk ishin në gjendje ta kuptojnë lirinë dhe jetën e dinjitetshme ashtu si e kuptonte ai.

Madje, përkundër logjikës ballkanike, nuk e identifikoi kurrë as popullin serb me regjimin gjenpocidist e antishqiptar, që nganjëherë e bëri të dyshimtë për bashkëkombasit që nuk i njohnin rrethanat ashtu siç i njihte ai. Ky është dimensioni human i Demaçit, që kurseu gjithashtu edhe spiunët bashkëkombas dhe gjithë hafijet e UDB që e ndoqën si hije përgjatë gjithë jetës së tij.

I dashur nga shtresa më e përvuajtur e popullit tonë, i lexuar në veçanti gjatë kohës së vuajtjes së burgut të gjatë 30 vjeçar, kur autori u bë simbol i rrezistencës gjithpopullore kundrejt dhunës sllave… vepra e tij ka frymëzuar bijtë më të mirë të kombit që ta intensifikojnë betejën për Kosovën e lirë. Këtë e arriti edhe në sajë të trimërisë dhe guximit  intelektual, që e bëri zë të veçantë krijuesi rebel, ndoshta më të veçantin në gjithë diktaturtën komuniste të Evropës juglindore dhe jo vetëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button