“Arrestimet shkelin të drejtën e protestës”

Tendencë për ta shkelur të drejtën e qytetarëve për të protestuar. E drejtë kjo që është e garantuar edhe me Kushtetutës. Kështu i vlerësojnë arrestimet e protestuesve ekspertët juridik dhe aktivistët e shoqërisë civile, raporton Portalb.

Sipas informacioneve të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, deri tani janë proceduar 13 persona, të cilët janë thirrur në biseda informative, kundër 11 janë shqiptuar sanksione, ndërsa kundër dy personave është vendosur masa arrest shtëpiak për ngjarjet e datës 13.04.2016. Shumë persona janë thirrur edhe sot, mes tyre edhe lideri i të Majtës, Zdravko Savevski. Veprimet e këtilla i vlerësojnë si frikësim,me intencë të ndërpriten protestat.

“Skenari është i dukshëm, tendenca për t’i ndalur qytetarët të dalin në protesta. Me çka u shkelet e drejta kushtetuese për protesta. Komiteti i Helsinkut ka krijuar një ekip që t’u ofrojë ndihmë juridike pa pagesë të arrestuarve. Gjithashtu kemi edhe numër pa pagesë për persona që kanë të njëjtin problem. Ekziston presioni, sidomos për ata njerëz që janë në krye të protestave”, është shprehur për Portalb Uranija Pirovska, drejtoresha e Komitetit të Helsinkut.

Edhe për profesorin universitar Osman Kadriu këto veprime janë anti ligjore, anti demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me atë se çka quhet e drejtë demokratike- siç është forma e protestave.

“Është me rëndësi të theksohet që në protesta nuk guxon të ushtrohet dhunë, çdo formë tjetër është e lejuar. Masat që i ndërmerr pushteti për protestat është tejkalim i kompetencave të tyre dhe keqpërdorim i pozitës që kanë. Qëllimi është i qartë, që të bëhet shtypje që qytetarët të tërhiqen nga një e drejt demokratike, por mendoj se kjo do të ketë efekt të kundërt. Për këto protesta ekziston bazë juridike, mbështetet nga gjithë qytetarët, shoqëria civile dhe nga partitë politike në opozitë. Gjithashtu për përmbajtjen e protestave ka rekomandime edhe nga faktori i jashtëm”, tha për Portalb Kadriu.

Sipas profesorit universitar Jeton Shasivari, ndodhitë e fundit po flasin për thellimin e drejtësisë selektive e cila tashmë është bërë edhe “modë” në Maqedoni, ku qytetarët e saj, vazhdimisht diskriminohen në qytetarë të prekshëm dhe qytetarë të paprekshëm nga drejtësia.

“Drejtësia selektive herë-herë po bëhet drejtësi “turbo e shpejtë” kur bëhet fjalë për qytetarët e zakonshëm ndërsa sillet si “e shurdhër” kur bëhet fjalë për të paprekshmit. Poashtu, është për tu habitur fakti se, përse institucionet janë të shurdhëra për rastet e PSP-së, kur dihet se PSP paraqet institucionin më transparent dhe më të hapur në vendin tonë që realizon me sukses misionin për të cilin është themeluar me ligj”, deklaroi për Portalb Shasivari.

Në lidhje me arrestimet e fundit të protestuesve kanë reaguar edhe nga Plenumi Studentor.

“Që në ditën e dytë të protestave u arrestuan me forcë pa arsye dy anëtarë të Plenumit Studentor. Ndaj njërit prej tyre u përdor edhe forcë e tepruar dhe ai u lëndua. Javën e kaluar edhe një anëtar i Plenumit Studentor u thirr në bisedë informative dhe të njëjtit iu shqiptua masa e paraburgimit shtëpiak prej 8 ditësh, ndërsa dje kjo masë është vazhduar edhe për 30 ditë të tjera.”- deklaroi për RTVM Orhan Sulejmani nga Plenumi Studentor./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button