Skoci, rrëzohet helikopteri mbi një pub

Një helikopter është përplasur mbi çatinë e një “pub”-i, orët e vona të së premtes, në qytetin skocez të Glasgow, bënë të ditur zyrtarët lokalë përmes Twitter-it.

“Diçka e tmerrshme këtu në Glasgow”, shkroi Jim Murphy, një anëtar i Parlamentit skocez në rrjetin social.

Fotot e publikuar në mediat sociale treguan skenën kaotike, përfshi disa zjarrfikës që nxitonin drejt vendngjarjes, në një ndërtesë 1-katëshe. Aty shfaqeshin pamje nga “The Clutha”, një lokal me muzikë “live” në Glasgow, sipas faqes zyrtare të këtij “pub”-i në Facebook.  

Policia e Skocisë ka konfirmuar rrëzimin e helikopterit të shërbimeve të tyre, duke shtuar se ka viktima të shumta, por ende nuk janë konfirmuar vdekjet. Kryeministri i Skocisë, Alex Salmond, tha: “Duke parë shkallën e këtij incidenti, duhet të përgatitemi të gjithë për mundësinë e pasjes së shumë viktimave”.

Llogaria në Twitter e “Police Roll of Honour Trust”, një grup i dedikuar përkujtimit të policëve të vrarë, theksonte se helikopteri i rrëzuar i përkiste policisë, edhe pse nuk dihet ende se pse, apo çfarë po bënte ai në atë moment.

Imazhet e postuara online tregojnë shenjat dalluese të policisë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë, “Daily Mail” njofton për mundësinë e 3 viktimave ndër personat që po festonin brenda lokalit të natës.

Faqja e “The Clutha” në Facebook përmban një sërë postimesh nga njerëzit e shqetësuar për incidentin. “Qëndroni të gjithë me këtë ngjarje, nuk është koha të mendojmë për të tjerët tashmë”, shkroi një person. “Njerëzit duan ndihmë”.

Kryeministri britanik, David Cameron, shkroi gjithashtu në Twitter për këtë situatë. “Mendimet e mia janë me këdo që është prekur nga rrëzimi i helikopterit në Glasgow, si dhe me shërbimet e emergjencave që punojnë sot”, tha ai.

Edhe lideri i partisë Laburiste, Ed Miliband, ka reaguar pas mësimit të lajmit, duke thënë se “ka mësuar mbi një lajm shokues nga Glasgoë. Mendimet e mia janë me ata, që mund të jenë plagosur”.

Lajme të ngjashme

Back to top button