Mbi “reformat” në arsim

Viteve të fundit janë bërë eksperimente me arsimin fillor, të mesëm dhe universitar. Janë miratuar e ndryshuar ligje. Janë shpikur testime “interne” e “eksterne”. Është folur për “reforma” e “revolucione” arsimore, ndërkohë arsimi ka ecur me hapa të gaforres.

“Reformat” në arsim ngjajnë si mbjellja e palmave në qytetet tona, ku mungon klima e përshtatshme. Nuk është çudi nëse provohet mbjellja e bananeve!

Jo çdo sistem arsimor funksionon në çdo sistem kulturor, pavarësisht se sa mund të jetë i përsosur. Duhet të merren parasysh karakteristikat dhe kushtet e një vendi.

Burokratët e arsimit mund të mburren se nxënësit tanë mësojnë me libra Oksfordi e Kembrixhi, por nëse i shohim tekstet e këtilla vërejmë se janë në sinkron me punën praktike që duhet ta bëjnë nxënësit. Pasi në shkollat tona mungojnë mjetet për punë praktike, nxënësi hamendëson për rezultatet. Ai duhet të japë përgjigje për punë magnetesh, por shkolla nuk ka magnete.

Në shkollat tona reformat janë bërë duke e zëvendësuar drasën e zezë me të bardhën, madje jo në të gjithë shkollat. Mësuesve më shumë u interesojnë “vizitat” e inspektorëve se sa nxënësit…

Arsimi shqip është në pikën kritike. Nxënësit shqiptarë, viteve të fundit, mësojnë me libra të përkthyer keq, që përmbajnë fyerje në baza kombëtare. Nëse në një tekst historie flitet keq për shqiptarët, mësuesi detyrohet të punojë me atë tekst, sepse pyetjet e testeve janë sipas librit…

Autorët e teksteve dhe lejuesit e tyre, në shoqëri normale, do të dënoheshin për nxitje të urrejtjes kombëtare. Për ironi: ministrat e arsimit shpesh kanë qenë shqiptarë, por kanë punuar me direktiva të qeverisë ksenofobe. Vendimet e ministrisë së arsimit janë tërhequr vetëm kur ka reaguar bota akademike maqedonase…

Qeveria, për të hedhur mjegull, shpesh ka përmendur zbatimin e “modeleve perëndimore” në arsim. Është përmendur edhe modeli finlandez! Le të japim vetëm disa të dhëna të pakta për këtë model arsimor, që mund t’i gjejmë kudo nëpër faqe interneti, për të parë se krahasimet janë kot fare.

Finlanda e ka sistemin më të përsosur arsimor, kurse nxënësit dhe studentët finlandezë arrijnë rezultatet më të larta në projekte e gara botërore. Arsimi konsiderohet esencë e shoqërisë dhe është falas deri në doktoraturë, përfshirë edhe shkollat private, që punojnë me program unik mësimor.

Në Finlandë shkollimi fillor zgjat nëntë vjet, kurse i mesmi tre vjet. Nxënësit mund ta kryejnë shkollimin e mesëm për dy vjet ose kanë mundësi ta zgjasin për një vjet, pra për katër. Matura kryhet pas përfundimit të shkollës së mesme, me provim nga katër lëndë: gjuhën amtare, matematikë, anglisht dhe suedisht. Suedishtja është gjuhë zyrtare dhe çdo nxënës duhet ta dijë këtë gjuhë.

Për nxënësit me nevoja të veçanta shteti siguron udhëtim me taksi. Ata mësojnë bashkë me nxënësit tjerë, por për ta kujdeset edhe një mësues – asistent.

Nxënësit mësojnë vetëm disa lëndë themelore dhe nuk notohen deri në klasën e gjashtë. Nuk kanë detyra shtëpie. Pas çdo ore kanë 15 minuta pushim. Në mësonjtore mbizotëron atmosferë relaksuese. Dyert e klasave janë të hapura. Nxënësit mund të lëvizin nëpër klasë, mjafton të jenë aktiv në debate e diskutime. Secili nxënës ka laptop, kurse klasat kanë tabela elektronike. Shkollat kanë leximore, stadiume, salla, terrene argëtimi, kabinete, dhoma muzike, aktrimi, artizanati, ka kolltukë për pushim, tavolina shahu. Në çdo shkollë nxënësit kujdesen për kafshë e bimë të ndryshme, që të nxitet dashuria për natyrën. Në kohë pushimi nxënësit, pavarësisht motit, lejohen të dalin në oborret e shkollës, tepër të sigurta. Pas përfundimit të mësimit pason dreka e shijshme, dedikuar moshës së nxënësit.

Misioni i shkollës finlandeze është nxitja e komunikimit dhe shoqërimit të nxënësve. Ajo përgatit nxënës për të qenë të dobishëm në planin personal dhe shoqëror, kurse këtë mund ta bëjnë mësimdhënësit që mësuesinë e konsiderojnë jo vetëm si profesion, por edhe si mision për të krijuar te nxënësi ndjenjën për jetën e përbashkët.

Në këtë vend mësuesia është profesion me prestigj dhe besohet se suksesi i nxënësit varet nga aftësia e mësimdhënësit. Është i vështirë regjistrimi veçmas në Fakultetin e Mjekësisë dhe atë të Mësuesisë. Pas studimeve për mësuesi vetëm 10 përqind e studentëve më të mirë e fitojnë të drejtën e punës me nxënës. Në shkolla fillore dhe të mesme ligjërojnë edhe doktorë shkencash. Mësimdhënësi në shkollë të mesme duhet të jetë magjistër, kurse çdo mësimdhënësi, para se të punojnë me nxënës, duhet të ketë përvojë në shkolla të rriturish.

Të ardhurat e mësuesit janë mbi të ardhurat tjera, kurse si mësues i mirë konsiderohet jo vetëm nëse arrin suksese në shkollë, por edhe kur boton punime shkencore.

Çdo mësues ligjëron katër orë në ditë, kurse dy orë në javë obligohet të përgatitet profesionalisht.

Kur mësimdhënësi është i zënë, atëherë nxënësit më të mirë i ndihmojnë të tjerët. Pas disa javësh nxënësit deklarohen se çfarë u ka pëlqyer e çka jo gjatë orëve mësimore.

Njëra nga lëndët kryesore është “Finlanda”, ku mësohet për vlerat, historinë, kulturën, ekonominë, gjeografinë apo politikën e shtetit. Organizohen edhe orë të shumta plotësuese për teknologjinë më të re, për muzikën bashkëkohore, për të rejat në sport, por edhe shëtitje të ndryshme me karakter mësimor.

Ka dhe shumë gjëra të tjera interesante për këtë sistem arsimor, por mjafton kaq për t’i bindur “reformatorët” tanë se krahasimet me këtë model arsimor janë qesharake. Kushtet në shkollat tona janë mjerane. Mësuesi nuk çmohet. Punësimet bëhen me direktiva partish.

Në Europë reformat arsimore janë të rralla, kurse termi “revolucion në arsim” duket qesharak. Aty ku ka shumë “reforma” kemi nxënës e mësimdhënës të traumatizuar dhe mungesë cilësie.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button