Spasovski: Ekipi i Zaevit do ta ndryshojë këtë gjendje të keqe

Ç’analiza duhen bërë për të kuptuar përfundimisht se Nikola Gruevski po e shpie shtetin drejt greminës politike dhe katastrofës ekonomike?

Kjo është pyetja retorike që ka parashtruar deputeti dhe zyrtar i LSDM-së, Oliver Spasovski, gjatë një takimi me qytetarë në Komunën e Karposhit. 

Duke prezantuar masat që propozon kjo parti, Spasovski ka thënë se LSDM ka qenë përherë pranë kur shteti ka pasur nevojë. 

“Çdoherë kur kishim situata të vështira, LSDM punonte në interes të të gjithëve. Po kështu ishte edhe në vitet ’90-ta, po kështu edhe pas konfliktit të vitit 2001. Bëmë gjithçka për ta stabilizuar shtetin”, ka deklaruar deputeti.

Sot, është koha ta rikthejmë Maqedoninë në rrugën e saj të vërtetë, thotë ai.

“Ekipi i Zoran Zaevit ka një program i cili do të ndryshojë gjendjen e keqe. Ne do t’ua kthejmë të hollat qytetarëve. Do të kthejmë klasën e mesme. Do të investojmë në vende të reja pune për të rinjtë dhe do të parandalojmë largimin e tyre në botën e jashtme. Do të kthejmë solidaritetin dhe barazinë. Do të kthejmë drejtësinë sociale. Kërkojmë drejtësi për të gjithë dhe jo vetëm për pushtetin. Kërkojmë që sot dhe jo nesër, një shoqëri të barabartë dhe të drejtë”, ka theksuar Spasovski. 

Në vazhdën e kritikave drejtuar VMRO-DPMNE-së, zyrtari ka thënë se në kohën e kësaj qeverisjeje Maqedonia është kthyer në një shoqëri jodemokratike, me një pushtet, siç e vlerëson, të korruptuar.

“Gjatë kësaj qeverisjeje të VMRO-DPMNE-së, të pasurve u ndahen më shumë para dhe ata pasurohen edhe më, kurse qytetarët varfërohen gjithnjë e më shumë. Gjatë kësaj qeverisjeje të VMRO-DPMNE-së, mbi 400 mijë qytetarë dhe prej tyre 230 mijë të rinj janë larguar, mbase përgjithmonë, nga Maqedonia”, ka vijuar Spasovski.

Sipas tij, LSDM do që të fitojë VMRO-DPMNE-në në zgjedhje fer dhe demokratike, pa dhunë e pa premtime të rreme, por me një program të mirë politik.

Lajme të ngjashme

Back to top button