Kosova ua ndalon hyrjen personave që kanë letërnjoftime nga strukturat paralele serbe

Qeveria e Kosovës ka reaguar ashpër dhe në të ardhmen do të ndalojë hyrjen e zyrtarëve të shtetit të Serbisë në Kosovë, për shkak të fjalimeve të tyre provokuese me fjalor kërcënues dhe të urrejtjes, gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë me rastin e fushatës elektorale, raporton Anadolu Agency (AA).

Po ashtu, qeveria kosovare ka marr vendim që nga dita e sotme, 18 prill 2016, t’iu ndalohet hyrja të gjithë atyre personave që posedojnë letërnjoftime ilegale serbe të lëshuara nga strukturat paralele të ashtuquajtura “Zyra të koordinimit”.

Me këtë rast, Qeveria e Kosovës ka njoftuar Brukselin se çdo hyrje tjetër ilegale në Kosovë, e cilitdo persona, do të sanksionohet përkitazi me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Arsye për këto vendime të Qeverisë së Kosovës janë incidentet e njëpasnjëshme të shkaktuara nga shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriqi, i cili ka keqpërdorur lejen për qëndrim në Kosovë dhe gjatë fushatës elektorale ka përdorur fjalor fyes dhe ka nxitur urrejtje nacionale.

Për më tepër, pas ndalesës së hyrjes së Gjuriqit në Kosovë nga ana e MPJ-së së Kosovës, ai ka realizuar provokimin e radhës kur të premten e kaluar, ka injoruar këtë ndalesë dhe në mënyrë ilegale ka hyrë në Kosovë, duke shkelur marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këto incidente kanë tensionuar situatën dhe Bashkimi Evropian ka ftuar për takim urgjent, nesër në Bruksel, zyrtarët e Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këtë, eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu konsideron veprimin e Qeverisë së Kosovës si me vend, por të vonuar.

Ai thotë se, kudo në botë, thyerja e kodit etik të sjelljes së politikanëve apo diplomatëve të huaj dhe deklaratat provokuese gjatë vizitave ose nëse qëndrojnë në vendet ku janë të deleguar, duke provokuar një shtet fqinj dhe sovran, sikurse kanë bërë në rastin konkret zyrtarët e Republikës së Serbisë karshi shtetit të Republikës së Kosovës, sanksionohet me ndalesa apo restrikcione të hyrjes në shtetet përkatëse.

Analisti politik Belul Beqaj, pajtohet me Musliun në aspektin e vonesës së reagimit të qeveritarëve kosovarë dhe shton se krejt kjo vjen si pasoj e mosrealizimit të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

“Ndalesat selektive të zyrtarëve të lartë të Serbisë nuk janë për mua lajm dhe më pak mund ta paraqesin ngjarje. Unë mendoj se këto janë pasoj të mosrealizimit të marrëveshjeve të cilat dalin nga, gjoja se normalizimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës. Në anën tjetër, edhe liria e qarkullimit e zyrtarëve serb në kuadër të territorit dhe shtetit të Kosovës, duke përhapur ideologji nacionaliste është keqpërdorim i kësaj lirie, prandaj ne jemi në situatë kur mund të konstatojmë se në fakt, si pasoj e marrëveshjeve të deritanishme, në vend se të kemi fillimin e besimit të ndërsjellë, kemi keqpërdorime të besimit të ndërsjellë që nuk i bënë nder as pushtetarëve të Kosovës, por as pushtetarëve të Serbisë”, tha Beqaj.

Nga ana tjetër, për vendimin politik që nga sot të ndërpritet praktika e hyrje-daljeve nga Kosova me letërnjoftime serbe ilegale të lëshuara nga institucionet paralele në Serbi, eksperti i sigurisë Agim Musliu thotë se është me vend por i vonuar dhe në fakt, do të duhej insistuar në zbatimin e tij gjatë takimit në Bruksel, sepse Kosova dhe Serbia kanë marrëveshjen për IBM apo Mbikëqyrjen e Integruar të Kufijve, që sot e kësaj dite Serbia nuk e respekton.

“Mendoj se është me vend edhe pse pak i vonuar, por megjithatë është me vend për arsye se përmbushet kushtetutshmëria e Republikës së Kosogvës dhe ligjëshmëria në një pjesë të caktuar të Kosovës, në veriun e Kosovës, ku dihet mirëfilli se, prej kohësh nuk është respektuar ligji i Kosovës dhe nuk i posedojnë dokumentet e Republikës së Kosovës. Nga aspekti juridik, kjo përmbushet në tërësi, kurse nga aspekti i sigurisë mund të afektoj apo mund të ketë ndikim në parandalimin e hyrjeve ilegale të shtetasve të huaj, respektivisht nga Republika e Serbisë, që ka qenë e pakontrolluar sepse ato dokumente nuk janë lëshuar nga Republika e Kosovës dhe ne nuk kemi qasje në autenticitetin e atyre dokumenteve”, thotë Musliu.

Ai konsideron se zbatimi i kësaj ndalese do të ketë efekte pozitive për parandalimin e krimit të organizuar dhe kalimit ilegal të kufirit. Nga ana tjetër, Musliu pret që serbët e veiurt të Kosovës të dirigjohen nga Beogradi dhe popullata në atë pjesë të Kosovës të thirret në mos dëgjueshmëri duke u mos pajisur me dokumente valide dhe adekuate të Republikës së Kosovës.

Ai njëherësh parasheh edhe organizimin e protestave që mund të eskalojnë.

Pikërisht kështu edhe ka ndodhur, sepse bujë të madhe tek serbët e Kosovës ka bërë paralajmërimi i ministres për Dialog, Edita Tahirit se nga dita e sotme, serbët e Kosovës që posedojnë letërnjoftime serbe ilegale, të lëshuara nga institucionet paralele, nuk do të mund të hynë në Kosovë. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës që kishin paralajmëruar bllokimin e pikave kufitare, nëse Prishtina zyrtare ndalon hyrjen e serbëve të Kosovës me letërnjoftime serbe.

Goran Rakiq, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Stevan Vukoviq i Zubin Potokut, Vuçina Jankoviq i Zveçanit dhe Dragan Jablanoviq, kryetari i komunës së Leposaviqit, kanë kërcënuar se do të organizojnë bllokimin e kalimeve kufitare, Brnjak që gjendet në rrugën Zubin Potok-Novi Pazar, si dhe kufirit në Jarinje në rrugën Leposaviq-Rashka.

Dje, ata kishin tërhequr vërejtjen Prishtinës se “me serbët nuk duhet të flas me gjuhën e dhunës por që problemet të zgjidhen me dialog”.

Agim Musliu konsideron se të gjitha mosmarrëveshjet mes dy shteteve duhet të zgjidhen me dialog, por se në këtë rast nuk është pala kosovare ajo që po kërcënon.

“Ne jemi për dialog dhe gjithmonë e kemi favorizuar dialogun, duke mos e potencuar asnjëherë dhunën, ndërsa ana e kundërt gjithmonë kërcënohet dhe potencon dhunën, siç e kanë paralajmëruar për sot. Por, sigurisht që në këto marrëdhënie diplomatike ekziston edhe reciprociteti i cili besoj se nga sot do të implementohet dhe nga ana teknike, do të lihet një afat i caktuar kohor që qytetarët e Republikës së Kosovës të pajisen me dokumente adekuate”, tha Musliu.

Pas këtyre tensionimeve, Ambasada Amerikane dhe Zyra e BE-së në Kosovë kanë kërkuar nga Kosova që të shtyjë zbatimin e masave ndaluese për hyrje – dalje me letërnjoftime serbe ilegale, deri pas mbajtjes së takimit të nesërm urgjent në Bruksel.

Se vendimi i Qeverisë së Kosovës nuk ka hyrë ende në fuqi, për Anadolu Agency ka vërtetuar shefi i grupit parlamentar Lista Serbe, Slavko Simiq.

“Ky vendim nuk ka hyrë në fuqi fare dhe komunikacioni po zhvillohet normalisht, njerëzit po vijnë dhe po shkojnë nga territori i Kosovës sipas procedurave standarde, pavarësisht nëse janë qytetarë të Kosovës apo ndonjë shteti tjetër”, thotë Simiq.

Gjatë bisedës telefonike me AA, ai ka deklaruar se ky problem nuk daton nga dje, por është një çështje e vjetër dhe këto masa patën hyrë në fuqi moti, mirëpo më pas janë suspenduar. Ai konsideron se ky problem duhet të zgjidhet me dialog në Bruksel, sepse sipas tij, dialogu nuk ka alternativë.

“Duhet të jemi pragmatik, duhet të jenë pragmatik edhe Prishtina edhe Beogradi, dhe në bazë të këtyre ideve duhet të punojmë së bahsku për të ndërtuar ardhëmrinë e përbashkët këtu në Kosovë”, ka porositur Simiq.

Ndërkohë, përkundër se ndalesa nuk ka hyrë në fuqi, një grup i serbëve nga veriu i Kosovës për një orë kishte bllokuar kalimin kufitar në Jarinje, duke dërguar porosinë se nuk dëshirojnë të heqin dorë nga letërnjoftimet e tyre serbe të lëshuara nga institucionet paralele në Serbi, me emra të qyteteve të Kosovës. Gjatë bllokimit një orësh të trafikut në Jarinje, nuk ka pasur incidente.

]Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, do të jetë nesër në Bruksel për të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Bashkimi Evropian në lidhje me çështjet urgjente në Dialogun e Brukselit ku pritet që, përveç këtyre dy problemeve urgjente, palët të diskutojnë dhe zgjidhin edhe problemin e njohjes reciproke të certifikatave të ADR-së, për të cilat ishte biseduar në Vjenë, më 4 prill 2016, por pa rezultate.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button