Ziadin Sela zbulon arsyet dhe qëllimin e protestës

Shqiptarët kanë shumë më tepër gjëra për të protestuar, se për atë që proteston sektori civil. Kjo do të jetë protestë për të dalur në sipërfaqe problemet reale të shqiptarëve, tha për Portalb numri një i LR-PDSH-së Ziadin Sela.

Sela thotë se ftesa është e hapur për të gjithë. “Nuk e organizojmë vetëm ne. I kam komunikuar partitë opozitare që të dalim me komunikatë të përbashkët, ndoshta në vazhdim do të përkrahet edhe nga subjektet tjera opozitare; Lëvizja Besa, Uniteti …”, theksoi Sela për Portalb.

Ai mendon se në Maqedoni, përveç se mungesës së sundimit të së drejtës, korrupsionit, problemet ne esencë janë etnike.

“Ne nuk kemi parë që të protestojnë etnitë tjera edhe pse burgjet janë përplot me shqiptarë, me procese të montuara. Ne nuk pamë protesta nga sektori civil në momentin që nga përgjimet u pa se janë të pafajshëm ata që u dënuan për rastin “Sopoti-n”, kur në pushtet ishte LSDM dhe BDI. Prandaj shqiptarët duhet të protestojnë kundër sistemit fillimisht, dhe jo për të ndryshuar një kryeministër me kryeministër tjetër”, deklaroi për Portalb Sela.

“Protestës mund t’i bashkëngjiten edhe ata që protestojnë nga ora 18, nëse mendojnë që përfundimisht duhet të protestuar si etni të barabarta dhe jo vetëm si qytetarë të barabartë, për ta ndërtuar një shtet tërësisht të barabartë. Dhe, nuk mundet më një popull që është mbi 30% të trajtohet si minoritet. Protesta ka qëllim të tregojmë se ne kemi hisen tone këtu dhe nuk do të heqim dorë nga zgjidhja e problemit të shqiptarëve”, porositë Sela.

Sipas tij, VMRO-DPMNE dhe BDI nga vitit 2008 organizojnë zgjedhje të parakohshme për të djegur vullnetin e shqiptarëve për ndryshim.

“Nuk do të lejojmë që dikush nëpërmjet manipulimit të djeg vullnetin për ndryshim që e kanë shqiptarët”, përfundon Sela.

LR-PDSH dhe Organizata e Veteranëve të Luftës kanë paralajmëruar protesta për të premten ora 14. Protesta do të nisë nga Bit Pazari dhe do të përfundojë para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button